Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski sot sërish u bëri thirrje anëtarëve të Këshillit programues të RTVM-së të japin dorëheqje.

“Për mua është me të vërtetë e çuditshme që anëtarët e Këshillit programues të RTVM-së në asnjë mënyrë nuk u përgjigjën në thirrjen time të japin dorëheqje. Një servis i pavarur publik në ndonjë mënyrë do të përgjigjej në thirrjen të japin dorëheqje për shkak të pozitës katastrofale në të cilën e sollën RTVM-në. Heshtja nga ana e tyre tregon gjithçka. Edhe njëherë u bëj thirrje të japin dorëheqje që të mund të zbatohen reformat mediale”, tha Mançevski, duke i’u përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas konferencës së sotme për shtyp në Qeveri.

Vetëm ashtu, konsideron ai, zhbllokohet edhe sjellja e ndryshimeve të Ligjit për shërbime mediale audio dhe audiovizuale.

“Pengesa e vetme dhe arsye për shkak të së cilës VMRO-DPMNE e bllokon sjelljen e ligjit është t’i mbajnë njerëzit e tyre në këshillin programues të RTVM-së”, pohoi ministri.

Plan “B” për dalje nga kjo situatë, sipas ministrit, ka.

“Nëse ka nevojë do ta shpallim. Ndoshta nuk do të ketë nevojë për atë”, tha Mançevski, sipas të cilit biseda për këtë temë tani nuk ka, por disa amendamente të propozuara nga opozita për Qeverinë janë të pranueshme.

Sipas tij, pengesa kryesore është insistimi i VMRO-DPMNE-së opozitare anëtarët e këshillit programues të RTVM-së të mbesin deri në fund të mandatit dhe të Këshillit të Agjencisë për shërbime mediale audio dhe audiovizuale.