Mandatari i ri në duart e presidentit Thaçi, Kushtetuta ia lejon t’ia japë kujtdo mandatin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka paralajmëruar se javën e ardhshme do të fillojë konsultimet për hapat e mëtejmë me partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, pasi Kuvendi e ka shkarkuar Qeverinë Kurti.

Marketing

Në një prononcim për media, pas vizitës që i bëri Qendrës së Studentëve të kthyer në karantinë për kosovarët e kthyer nga jashtë si pjesë e masave për të parandaluar COVID-19, presidenti Thaçi ka thënë shkurtër se do të fillojë konsultimet dhe se mandatin do t’ia japë partisë politike që e dëshmon se do të formojë “qeveri të unitetit, qeveri stabile dhe qeveri gjithëpërfshirëse”.

Kjo lë të nënkuptohet se presidenti si pikënisje ka Pikën 5 të Nenit 95 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që parasheh momentin e krijuar pas rënies së Qeverisë. Pra, Pika 5 e Nenit 95 e bën dallimin në mes të momentit kur qeveria formohet pas zgjedhjeve dhe momentit tjetër kur qeveria formohet pas rënies së qeverisë.

Kjo pikë kërkon nga presidenti vetëm të konsultojë partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend për të mandatuar kandidatin e ri për të formuar Qeverinë. Por, kjo pikë nuk përcakton që kandidati i ri duhet të jetë nga partia që ka dalë e para në zgjedhje.

Rrjedhimisht, kjo pikë lë në diskrecionin e presidentit se cilit kandidat do t’i japë ai mandatin.

Marketing