Treni i Bajramit, i cili simbolizon ardhjen e kësaj feste, kaloi nëpër lagjet e Çairit.

Fëmijët përplot një orë iu kënaqën shëtitjes me tren që filloi nga xhamia e Mustafë Pashës dhe vazhdoi nëpër të gjitha lagjet e Çairit, për t’u kthyer më pas në të njëjtin vend. Ata të entuziazmuar dhe të gëzuar nuk nguruan të shprehin emocionet e tyre për ardhjen e kësaj feste.

“Jam shumë e gëzuar për Bajram, urime të gjithëve Bajramin”,- tha një fëmijë.

“Po, u shëtita me tren. Shumë mirë kalova”,- theksoi një fëmijë.

“Urime Bajramin”,- u shpreh një fëmijë.

Organizatorët theksojnë se qëllimi i aktivitetit “Kandilat e Bajramit” është që ta përcjellim muajin e shenjtë të Ramazanit dhe ta presim Bajramin nëpërmjet festës. Përveç trenit, për këtë aktivitet u organizua edhe shitja e aksesorëve të punuara me dorë si dhe u hap një ekspozitë me foto të shkrepura të qytetarëve gjatë muajit të Ramazanit.

“Fëmijët, siç e dimë, janë ata të cilët me padurim e presin festën e Bajramit dhe ne kemi vendosur që ta realizojmë këtë aktivitetet me qëllim që t’i gëzojmë fëmijët. Treni i Bajramit ka lënë shenjë nëpër lagjet tona, i cili ka marshutën e tij. Fillon prej Mustafë Pashës dhe kalon nëpër të gjitha lagjet e Çairit dhe në fund gjithçka përfundon me hepeningun para Mustafë Pashës”,- theksoi Suad Bajrami nga Shoqata Vizioni-M.

“Edhe këtë vit për këtë aktivitet organizojmë shitjen e bizhuterive që i punojnë aktivistët gjatë ditëve të Ramazanit dhe ato mjete shkojnë për bamirësi, ndërsa ndryshe nga vitet tjera, këtë vit organizojmë ekspozitën “Foto mozaiku i Ramazanit”, ku çdokush ka pasur mundësi të na dërgojë fotot në ueb faqen tonë në facebook apo në e-mail me foto nga çasti i Ramazanit, dhjetë prej atyre janë zgjedhur si më të mirat”,- tha Zinur Emini nga Shoqata “Parimi”.

Aktiviteti “Kandilët e Bajramit” organizohet në mënyrë tradicionale që nga viti 2005, para festës së Bajramit.