Maqedonasit insistojnë të mos numërohen sa përqind shqiptarë janë

Nuk do të ketë grafë për përkatësinë etnike dhe fetare gjatë regjistrimit të popullsisë i cili do të mbahet prej 1 deri më 21 prill të vitit 2020, shkruan Portalb.mk.

Marketing

Ministria e Drejtësisë e ka publikuar propozim-ligjin për regjistrim të popullsisë, amvisërive dhe banesave, ndërkaq ashtu siç u paralajmërua, sipas të njëjtit nuk parashihet që gjatë regjistrimit të regjistrohet përkatësia etnike dhe fetare e popullsisë. Në kategorizim nuk është vendosur as edhe gjuha që qytetari flet, ndërkaq mund të jetë e përfshirë në kategorinë e të dhënave për karakteristikat kulturore.

Propozim-ligji është përgatitur nga Enti Shtetëror për Statistika, i cili është dhe organizator dhe zbatues i regjistrimit, por pasi që ajo ligjërisht nuk ka mundësi që të propozojë ligj, e ka publikuar Ministria e Drejtësisë.

Detaje të propozim-ligjit:

Për personat që do të përfshihen në regjistrim do të sigurohen të dhëna për:
Karakteristika gjeografike
Karakteristika demografike
Karakteristika ekonomike
Karakteristika arsimore
Karakteristika migruese
Karakteristika kulturore
Invaliditet/pengesë funksionale
Me regjistrimin e amvisërive do të mblidhen të dhëna për karakteristika të amvisërive dhe familjeve të personave të përfshira me regjistrim dhe kushtet e banimit.

Për regjistrim të banesave do të mblidhen të dhëna për karakteristikat e banesave dhe ndërtesave ku ata ndodhen.

Sipas të njëjtit thuhet se të dhënat e mbledhura nga regjistrimi do të shfrytëzohen për:
Krijim të politikave zhvillimore
Planifikim makro-ekonomik
Për hulumtime shkencore dhe të tjera
Për qëllime statistikore.
Regjistrimi do të kryhet me përdorimin e kompjuterit të lëvizshëm, me aplikacion të veçantë, gjatë së cilës aplikohen masa teknike dhe organizuese në pajtueshmëri me dispozitat për mbrojtje të të dhënave personale.

Me regjistrimin do të përfshihen:
Shtetasit e Republikës së Maqedonisë të cilët jetojnë ose qëndrojnë në Republikën e Maqedonisë, pa dallim nëse për momentin e regjistrimit gjenden në Maqedoni ose jashtë vendit.
Shtetas të huaj të cilët janë të pranishëm në Republikën e Maqedonisë me miratim për qëndrim.
Personat pa nënshtetësi të cilët në momentin e zbatimit të regjistrimit gjenden në Maqedoni
Amvisëritë e personave, shtetas të Republikës së Maqedonisë
Banesa dhe hapësira tjera të banueshme.
Në regjistrim nuk do të përfshihen:
Personeli diplomatik i përfaqësive të jashtme diplomatike dhe konsullore të Maqedonisë dhe anëtarët e familjeve të tyre
Personeli i armatës së huaj dhe anëtarët e familjeve të tyre, të cilët gjenden në Maqedoni, por edhe përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare dhe komuniteteve të cilët në momentin e regjistrimit do të ndodhen në Maqedoni.
Shtetasit e huaj të cilët do të gjenden në Maqedoni gjatë regjistrimit për shkak të udhëtimit zyrtar, vizitës private, mjekimit, udhëtimeve turistike dhe të ngjashme.
Diaspora
Për personat-shtetas të Maqedonisë të cilët janë për punë të përkohshëm ose qëndrim jashtë vendit do të mundësohet që vetë të regjistrohen në periudhën prej 15 mars deri më 31 mars 2020 në aplikacionin e veçantë e cila është ueb-faqen e Entit Shtetëror për Statistika, gjatë së cilës në mënyrë të detyrueshme aplikohen masat teknike dhe organizuese në pajtueshmëri me dispozitat për mbrojtjen e të dhënave personale.

Për regjistrimin do të harxhohen 522.751.000 denarë, ose mbi 8.1 milion euro.

Ky propozim ligj duhet që të hyjë në fuqi pasi që të miratohet në Kuvend, por sipas paralajmërimeve mund të pësojë ndryshim, sidomos në pjesën e mungesës së grafës së përkatësisë etnike të qytetarëve të huaj pasiqë shumica e partive kërkojnë që gjatë regjistrimit të popullsisë duhet që të regjistrohet edhe përkatësia etnike e popullatës.

Në këtë fazë, deri më 17 dhjetor, të gjithë kanë të drejtë të japin sugjerime dhe vërejtje për propozim-ligjin, të cilat do të duhet të merren parasysh për versionin final të propozim-ligjit. Pas kësaj, i njëjti do të duhet të dorëzohet në Qeveri për miratim, ndërkaq më pas nëse Qeveria e miraton dërgohet për procedurë parlamentare. Regjistrimi i fundit i popullsisë Maqedoni u realizua në vitin 2002, ndërkaq në vitin 2011 u fillua, por nuk u realizua.

Marketing