Maqedonasit nuk “dorëzohen” kundër shqipes

Maqedonasit nuk ndalen kundër Ligjit të gjuhës shqipe. Edhe pse shtetit iu ndërrua emri bashkë me Kushtetutën, madje është rrezikuar dhe identiteti maqedonas, bashkëqytetarët tanë duket se problem më të madh në vend e kanë pikërisht përdorimin e drejtë të gjuhës shqipe nga vet shqiptarët.

Marketing

Rreth 20 iniciativa kundër Ligjit të gjuhës tashmë janë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese. Një pjesë për tërë Ligjin, ndërsa pjesa tjetër kërkon heqjen e dispozitave ligjore që parasheh përdorimin e shqipes në proceset gjyqësore, në pushtetin lokal, madje edhe në polici dhe armatë.

Burime zyrtare tregojnë për gazetën KOHA se iniciativa kundër Ligjit të gjuhëve, Ligj ky që tashmë ka filluar implementimin e pjesërishëm, janë dorëzuar që nga qytetarë të rëndomtë e deri në profesorë universitarë dhe politikanë maqedonas.

Madje, siç thonë për gazetën KOHA nga Gjykata Kushtetuese, disponimi i gjykatësve maqedonas është që sa më shpejtë të fillohet me procedimin e këtyre iniciativave, ndërkohë që situata brenda në gjykatë nuk është në favor të mbrojtjes së Ligjit. Nga ana tjetër, po kjo gjykatë ka hedhur poshtë iniciativat kundër Marrëveshjes së Prespës dhe ndërrimin e emrit të shtetit, duke mos diskutuar fare për përmbajtjen e marrëveshjes.

“Tashmë janë hedhur poshtë iniciativat për Marrëveshjen e Prespës, ndërsa në radhë janë iniciativat kundër Ligjit të gjuhës. Është e sigurt se Ligji në tërësi nuk do të anulohet, por ka gjasa që pjesa të Ligjit të kontestohen dhe të shpallen jokushtetuese, siç është pjesa e përdorimit të shqipes në pushtetit lokal, në gjyqësi dhe në polici e armatë”, thonë për KOHA nga kjo gjykatë, ndërsa shtojnë se gjykatësit maqedonas duan që sa më shpejtë të bëjnë shpërndarjen e lëndëve për gjykatësit.

“Është vështirë të mbrohen pjesë të Ligjit, kur votimi bëhet me shumicë të thjeshtë dhe jo me Badenter. Është absurde që një Ligj i votuar në Parlament me dy të tretën e votave dhe me Badenter njëkohësisht, të mund të anulohet me shumicë të thjeshtë.

Kjo është mangësia e Parlamentit që nuk ka parashikuar dhe akoma nuk parashikon që vendimet në Gjykatën Kushtetuese, ashtu sikurse për Ligjet që prekin të gjitha etnitetet, të mund të sillen me shumicën e Badenterit”, thonë në Gjykatën Kushtetuese. Në Qeveri dhe Parlament ndërkohë janë në dijeni të iniciativave kundër Ligjit të gjuhëve, por shpresojnë se Gjykata Kushtetuese do të sjellë vendime që nuk e rrezikojnë situatën politike në vend.

“Jemi në dijeni të iniciativave kundër Ligjit të gjuhëve, megjithatë shpresojmë se tek anëtarët e Gjykatës Kushtetuese do të mbizotërojnë qëllimet e mira që të mos futet vendi në krizë politike, pasi abrogimi i pjesëve të Ligjit do të sillte bllokim total të punës së Parlamentit dhe Qeverisë”, thonë deputetë shqiptarë për gazetën KOHA, ndërsa sigurojnë se janë në konsultim edhe me kabinetin qeveritar për gjetjen e mënyrave për implementimin e tërësishëm të Ligjit të gjuhëve. Ndryshe, Ligji për përdorimin e gjuhëve hyri në fuqi më 15 janar të vitit 2019, kur edhe u shpallë në “Gazetën Zyrtare” të Maqedonisë së Veriut.