Maqedonasja u deklarua shqiptare për të zënë vendin e punës

Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve pranon në punë udhëheqës sektori të përkatësisë maqedonase edhe pse në konkursin e shpallur nga Agjencia e Administratës vendi ishte i paraparë për një shqiptar.

Marketing

Në shpalljen publike me numër 359/2018, në Sektorin për siguri, trajtim dhe trajnim në kuadër të Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve, sipas planit vjetor të Agjencisë së Administratës, kushti i parashikuar për balancimin e përfaqësimit adekuat parashikonte punësimin e një nëpunësi nga përkatësia etnike shqiptare.

Bëhet fjalë për Biljana Zefiq e cila në aplikim është deklaruar shqiptare, pavarësisht se përkatësia e saj është maqedonase. Alsat kontaktoi me telefon Zefiqin duke iu drejtuar në gjuhën shqipe, por kjo e fundit pranoi se nuk din shqip. Ajo thirrej se është shqiptare katolike dhe se familja e saj i takon të njëjtës përkatësi religjioze.

Zefiq gjithashtu thirret në profesionalizmin e saj si nëpunëse në Drejtorinë për Ekzekutimin e Sanksioneve për 32 vite, duke shtuar se ka qenë kandidatja e cila i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe ka marr pikët maksimale për të fituar vendin e punës. Nga Agjencia e Administratës thonë se gjatë procedurës nuk ka pasur shkelje, ndërsa Zefiq ka keqpërdorur hapësirën ligjore.

Kandidatja ka arritur t’i përfitojë në mënyrë meritore pikët e nevojshme për këtë vend pune. Problem në këtë rast është se sipas planit vjetor për punësim dhe balancerit, ky vend punë duhet t’i takonte një shqiptari. Por kandidatja në fjalë gjatë aplikimit të saj, thënë kushtimisht ka keqpërdorur të drejtën e saj kushtetuese për t’u shprehur lirshëm për përkatësinë e saj etnike dhe është deklaruar shqiptare- thotë Agron Seferi, Zëvendësdrejtor i AA-së.

Ligjin për shërbyesit administrativ parashikon përsëritjen e konkursit në rast se në herën e parë nuk ka kandidat nga përkatësia e kërkuar. Për faktin që Zefiq është deklaruar shqiptare dhe për faktin që Komisioni vlerësues nuk ka kompetenca për të konstatuar përkatësinë etnike të kandidatit, konkursi rezulton të kenë qenë ligjor.

Tani që kandidatja është shprehur shqiptare rezulton që ka një kandidat shqiptar i cili ka arritur pikët dhe është përzgjedhur. Për të përsëritur konkursin, Agjencia për Administratë nuk ka kompetenca. Këtë duhet ta bëj institucioni përkatës- thekson Agron Seferi, Zëvendësdrejtor i AA-së.

Kushtet e parapara me ligj, gjatë procedurës së aplikimit, në fazën e intervistës parashikojnë pikë shtesë në rast se kandidati nga etnia tjetër zotëron edhe gjuhën maqedonase. Keqpërdorim dhe deklarim të rrejshëm të kandidatëve ka edhe në raste tjera. Raste të tillë siç mëson Alsat janë të shumtë.

Fenomeni flet për deklarimin e maqedonasve si shqiptar dhe anasjelltas por përveç se si shqiptar ata deklarohen edhe si turq, rom, boshnjak, vlleh e serb kur në konkurse parashikohen kandidatë me përkatësi etnike tjetër nga ajo maqedonase.