Në prag të shpërndarjes së Kuvendit, para zgjedhje të 12 prillit në Maqedoninë e Veriut, përsëritet problemi me disbalancin e numrit të votuesve në njësitë zgjedhore. Nga KSHZ-ja konfirmojnë se problemi është evident në katër njësi zgjedhore, njofton Alsat-M.

“Njësia zgjedhore numër dy është ajo e cila e kalon pragun plus ose minus për qind me këto numra, +5,49 %, njësia zgjedhore numër tre -7,31 %, njësia zgjedhore numër katër -6,16 % dhe njësia zgjedhore numër gjashtë me +8,32 %”, tha Admir Shabani, zëdhënës i KSHZ-së. Ky disbalanc, paraqet shkelje të Kodit Zgjedhor. Ministria e Drejtësisë ka formuar grup pune që do të merret me ndryshimet e Kodit zgjedhor sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-së. Anëtarët e grupeve të punës thonë se për më shumë se një muaj nuk kanë realizuar takim. Pas dështimit të ndryshimit të modelit zgjedhor në një njësi zgjedhore dhe lista të hapura, partitë politike nuk janë dakorduar akoma për ndryshimet eventuale të Kodit që duhet të ndodhin para shpërndarjes së Kuvendit.