Maqedoni: Pasojat nga rikthimi i karantinës dhe kufizimeve tjera

Respektimi i masave për mbrojtje nga koronavirusi i ri, që shkakton sëmundjen COVID-19 dhe jo rikthimi i masave kufizuese, është mënyra e vetme për përballje me pandeminë, por edhe normalizimin e sistemit shëndetësor, thonë specialistët e fushës së mjekësisë, si dhe ekspertë të sferave tjera duke folur për rritjen e infektimeve dhe debatet nëse do të ketë ose jo rikthim të masave kufizuese.

Marketing

Sipas mjekut mikrobiolog, Nikolla Panovski, sistemi shëndetësor duhet të normalizohet dhe të nisin të trajtohen edhe sëmundjet tjera, pasi, aktualisht e gjithë vëmendja është përqendruar te COVID-19.

“Masat janë ekzagjeruar deri në atë pikë sa njerëzit kanë filluar të vdesin nga sëmundje të tjera, sepse nuk kanë pasur kujdes shëndetësor për muaj të tërë. I tërë sistemi shëndetësor është përqendruar në infektimet nga koronavirusi i ri, por kjo nuk do të thotë që të injorohen shumë sëmundje tjera serioze për shëndetin e qytetarëve”, thotë Panovski.

Ai beson se në vjeshtë, edhe nëse nuk do të ketë shtim të rasteve të reja me koronavirus, situata do të jetë e komplikuar për shkak të infeksioneve virusale që do të ngatërrohen, sepse do të ketë edhe shumë raste tjera simptomatike të sëmundjeve të frymëmarrjes dhe disa prej tyre, siç thotë ai, do të jenë ftohjet, gripi, por dhe disa viruse krejtësisht të treta. E gjithë kjo, sipas tij, do ta rëndojë sistemin me teste.

“Unë mendoj se nuk do të ketë kufizime të mëdha, përveç një ndonjë ore policore, sepse ekonomia nuk mund t’u rezistojë kufizimeve të reja. Ndoshta shkollat nuk do të funksionojnë, mbase do të mbyllen edhe restorantet, baret, klubet e fitnesit, do të mbyllen përsëri, por nuk besoj se do të merren masa më të rrepta, pasi do të përkeqësonin edhe më shumë gjendjen ekonomike”, shprehet Panovski.

Ndërkohë, ekspertët e fushës psikologjike dhe sociale, thonë se rikthimi eventual i masave kufizuese në vjeshtë apo edhe më herët, për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve, nuk do të sjellë asgjë pozitive, përkundrazi do të rëndojë edhe më shumë gjendjen në sferat tjera që tani disa muaj thuajse janë harruar.

“Ndërgjegjja te ne është pak e ulët, për fat të keq, do të thotë se nuk respektohen sa duhet rekomandimet. Sa i përket aspektit mjekësor janë në rregull masat, po ku e kemi aspektin ekonomik, financiar, shoqëror, arsimimin, por edhe shumë veprimtari tjera që është absurde dhe e pamundur që të mbahen pa praninë fizike të njerëzve”, thotë Emil Sulejmani, profesor i Sociologjisë në Fakultetin Pedagogjik në Shkup.

Ai rekomandon respektimin e masave shëndetësore, por jo edhe masa kufizuese, që sipas tij, do të kenë pasoja të rënda jo vetëm ekonomike, por edhe në aspektin psikologjik e social të njerëzve.

“Unë nuk do të kisha rekomanduar dhe nëse dikush do të më pyeste, asnjëherë nuk do të kisha thënë që të mbyllen njerëzit. Vërtetë do të ishte një paranojë e pashëruar, ndoshta për virusin do të gjendet vaksina ashtu siç paralajmërohet, me shpresë se do të vjen edhe shërimi, por nga aspekti psikologjik dhe social është pikëpyetje se a do të ketë ilaç dhe shërim nëse na ndodh edhe njëherë një gjë e tillë. Jam i bindur se nuk duhet vetëm se duhet të respektohet rregullat që janë anembanë botës”, thotë Sulejmani.

Institucionet shëndetësore kanë thënë se kapacitetet mjekësore me sukses po përballen sëmundjen COVID-19 dhe se për momentin nuk ka nevojë për masa shtesë, por në rast të përkeqësimit të gjendjes nuk përjashtohet mundësia e rikthimit të disa prej masave kufizuese, pa saktësuar nëse me këtë nënkuptohet vendosja e serishme e orës policore, apo e ndalimit të plotë të lëvizjes, siç ishte praktikuar në muajt prill dhe maj./REL/

Marketing