Zyra evropiane për përkrahje të azilit (EASO) ka kumtuar se ka rënie të konsiderueshme të numrit të kërkesave për azil nga banorë të Maqedonisë për vendet e BE-së gjatë gjashtë muajve të fundit, përcjell Telegrafi Maqedoni. Sipas lajmit të AIM, në janar të këtij viti 480 shtetas të Maqedonisë kanë dorëzuar kërkesë për azil në Evropë, ndërsa në qershor ky numër është zvogëluar në 276.

Rrjedha e numrit të azilkërkuesve pas muajit janar është si vijon: shkurt – 372, mars – 467, prill – 392 dhe maj – 319.

Zyra evropiane nuk jep shkaqet për këtë trend të rënies, e as arsyet e theksuara në kërkesat për azil, por sipas statistikave Gjermania është shteti i BE-së që ka pranuar numrin më të madh të kërkesave për azil nga shtetas të Maqedonisë.

Zvogëlimi i numrit të kërkesave për azil është në trend të vazhdueshëm, në krahasim me vitet e kauara. Që nga “kriza” e azilantëve pas liberalizimit të vizave, kur mijëra shtetas të Maqedonisë kërkuan azil në shtetet e BE-së.

Në vitin 2017, është arritur numër rekord prej 920 kërkesave për azil në BE vetëm gjatë muajit mars, ndërsa numri më i ulët gjatë viti të kaluar është shënuar gjatë mujait shtator me gjithsej 411 kërkesa për azil.