Rajonet kufitare të Maqedonisë dhe Kosovës së bashku do të aplikojnë për grante në fonde evropiane për zhvillim të turizmit. Kjo u arrit në takimin e sotëm në Shkup mes ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe ministrit kosovar të Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri, ku u bë fjalë edhe për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e zhvillimit të barabartë rajonal.

“Në takim i ndamë përvojat dhe mënyrën se si në Republikën e Maqedonisë financohen rajonet me qëllim që të jenë të zhvilluara në mënyrë të barabartë. U dakorduam që rajonet kufitare bashkërisht të aplikojnë në fondet e BE-së për marrje të granteve për zhvillim me qëllim që të krijohen vende të reja të punës dhe të tërhiqen turistët, posaçërisht në rajonin e Kodrës së Diellit dhe Brezovicës dhe Likovës e Gjilanit”, deklaroi Bekteshi pas takimit.

Ministri Demiri theksoi se ndërtimi i autostradës drejt kufirit të Maqedonisë tregon se Kosova dëshiron të ketë bashkëpunim me Maqedoninë në të gjitha nivelet.

“Vizita e sotme është shumë e rëndësishme dhe çdo përvojë e transmetuar nga pala e Maqedonisë për ne është shumë e dobishme. Pas takimit të sotëm në Shkup do të formojmë grupe të punës të cilat do të punojnë në projekte të përbashkëta evropiane të financuara përmes programit IPA në sferën e turizmit. Shpresoj se së shpejti do të nënshkruajmë edhe memorandum për bashkëpunim”, tha Demiri.