Maqedonia dhe Shqipëria afër BE-së, por të kushtëzuar

Gjithnjë e më të zëshme janë qëndrimet se Maqedonisë së Veriut i duhet t’i lejohet fillim i pakusht i negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe të ndahet nga Shqipëria. Holanda dje kërkoi që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të trajtohen në mënyrë të ndarë lidhur me hapjen e negociatave, ndërsa, Qeveria bullgare, vendosi se do ta mbështesë vendimin për fillim të negociatave për anëtarësim që të dy vendeve si Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Presidenti Stevo Pendarovski, megjithatë, pret ftesë të qartë për fillimin e negociatave aderuese.

Marketing

Qëndrimi i Holandës, se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet të trajtohen në veçanti në lidhje me hapjen e negociatave, është si rrjedhojë nga debati i së martës në Komitetin për çështje evropiane në parlamentin holandez. Shefi i diplomacisë Stef Bllok e përsëriti qëndrimin e Qeverisë se fillimi i negociatave me Shqipërinë në këtë moment do të ishte shumë herët. Holanda, megjithatë, nuk do të vendos veto nëse vendet tjera anëtare të BE-së janë për fillimin e negociatave.

Në pjesën për Maqedoninë e Veriut thuhet se është bërë përparim i guximshëm dhe përshëndetet Marrëveshja e Prespës si shembull për zjgidhjen e çështjeve tjera të hapura në rajon. Rekomandohet vazhdim i lëndëve të hapura të PSP-së dhe përshëndetet transferimi i tyre për procesim të mëtutjeshëm në PP. Hap i rëndëssihëm që duhet të bëhet është miratimi i i ligjit që do të garantojë Prokurori publike të pavarur dhe ndjekje të rasteve të korrupsionit të lartë.

Bullgaria gjithashtu do ta mbështesë vendimin për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë Veriore dhe Shqipërisë në BE, vendosi sot Qeveria bullgare. Megjithatë, Sofja vendosi edhe kushte të cilat duhet të plotësohen gjatë negociatave.

Zëvendëskryeministrja dhe ministre e Punëve të Jashtme Katerina Zaharieva pas seancës së Qeverisë deklaroi se Sofja është për fillimin e negociatave me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë në paketë, sepse vlerëson se ndarja e tyre do të ishte gabim dhe mund të sjell deri në jostabilitet të rajonit.

Lidhur me Maqedoninë Veriore, Zaharieva tha se Bullgaria gjithmonë si kusht për mbështetjes e saj i ka vendosur marrëdhëniet e mira fqinjësore.

“Kjo është qartësuar që me Deklaratën e vitit 1999, pastaj me Memorandumin për mbështetje të integrimit euroatlantik dhe evropian të vendit dhe përfundimisht me nënshkrimin e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë nga ana e kryeministrave Bojko Borisov dhe Zoran Zaev”, deklaroi Zaharieva.

Edhe ministri i Mbrojtjes Krasimir Karakaçanov pas seancës qeveritare deklaroi se Bullgaria e mbështet anëtarësimin e Maqedonisë Veriore në BE, pa kusht. Sipas tij, nga Shkupi varet sa do të zgjasë inkuadrimi në Union.

Historia nuk mund të jetë kompromis, tha Karakaçanov, duke shtuar se zgjidhja e çështjeve historike është një prej kushteve bullgare.

Sipas qëndrimeve të prezantuara të shefit alternativ të diplomacisë greke, Greqia konsideron se BE-ja duhet të japë dritë jeshile për fillimin e negociatave njëkohësisht për Maqedoninë e Veriut dhe për Shqipërinë dhe të mos ketë ndarje të kandidaturave të dy vendeve.

Varviciotis tha se Greqia kohë më parë e ka mbështetur politikën evropiane të zgjerimit për Ballkanin Perëndimor “pasi konsideron se është mjet i fuqishëm për arritje të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit për rajonin më të gjerë”, por shtoi se mbështetja greke është e pandashme me respektimin e kushteve dhe me “parimet e vetë arritjes së vendeve kandidate”.

Drejtori i përgjithshëm për zgjerim dhe fqinjësi në Komisionin Evropian, Kristijan Danielson. në takim me ministrin e Punëve të Brendshme Oliver Spasovskin tha se RMV është partner shumë i rëndësishëm për Komisionin Evropian, i cili në periudhën e kaluar tregoi progres serioz në procesin e anëtarësimit drejtë BE-së dhe përmbushjen e prioriteteve të vendosura.

“Progresin të cilin Maqedonia e Veriut e arriti është argument shtesë në drejtim të sjelljes së vendimit dhe përcaktimit të datës për fillimin e negociatave, për çka do të vendoset në ditët e ardhshme”, ka thënë Danielson.

Presidenti Stevo Pendarovski pret ftesë të qartë për fillimin e negociatave aderuese. “Presim ftesë të qartë për fillimin e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian. Jemi të vetëdijshëm për sfidat me të cilat përballet BE-ja, si dhe për debatet për zgjerim, por secila vonesë e perspektivave evropiane në rajon nënkupton hapjen potenciale të hapësirës për aktorët tjerë, përfshirë edhe ato të sigurisë, të cilat nuk ofrojnë alternativa të qëndrueshme në BE dhe NATO”, porositi Pendarovski.

Pendarovski, theksoi se megjithatë, kjo më së shumti varet nga ne dhe nga rezultatet e reformave në vend para së gjithash në lidhje me sundimin e së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit të lartë.

Ambasadori francez në vend, Kristijan Timonie, dje theksoi se Franca si dhe anëtarët e tjera të BE-së shohin në afrimin e shteteve drejt BE-së në aspekt rajonal.

Sipas tij, në kontekst rajonal është e qartë se ka dallime mes vendeve dhe siç tha, ekziston një problem i përgjithshëm dhe ai është problemi me shtetin juridik.

“Ne nga afër e ndjekim gjendjen në Maqedoninë e Veriut, zhvillimin e ndodhive veçmas në sjelljen e ligjit të Prokurorisë publike. Mbetet edhe një javë. Kuptohet se nëse ka pajtueshmëri ai do të jetë element pozitiv”, ka thënë Timonie.

Për hapjen e negociatave aderuese për anëtarësim në Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë do të debatohet në takimin e Këshillit të ministrave në Luksemburg më 15 tetor, ndërsa vendimi përfundimtar duhet të formalizohet më 18 tetor nga Këshilli i Evropës.

Marketing