Maqedonia e Veriut do të kërkojë shtyrjen e lojës me Kosovën, tre lojtarë duhet të izolohen

Federata e Futbollit të Maqedonisë Veriore do të dërgojë kërkesë në UEFA për të shtyrë ndeshjen e play-off me Kosovën, që duhet të zhvillohet më 26 mars.

Marketing

Kështu ka raportuar të martën pasdite sajti maqedonas, “ekipa.mk”. Me masat e ndërmarra nga qeveria e Maqedonisë Veriore për të luftuar përhapjen e koronavirusit, është e qartë që ndeshja me Kosovën do të luhet pa shikues. Por një rekomandim tjetër i qeverisë maqedonase paraqet problem më të madh. Qeveria e Maqedonisë ka kërkuar që të gjithë qytetarët që vijnë nga vendet evropiane të prekura nga koronavirusi të izolohen për 14 ditë.

Aktualisht Italia është vendi më i goditur me koronavirus. Në Itali luajnë tre lojtarë të rëndësishëm të Maqedonisë Veriore, kapiteni Goran Pandev, ylli Elif Elmas dhe Ilija Nestorovski.

Nëse izolimi 14 ditor aplikohet ndaj tyre, të tre nuk do të jenë në gjendje të luajnë ndaj Kosovës dhe kjo do të zvogëlonte maksimalisht gjasat e Maqedonisë për sukses në gjysmëfinale të play-offit.

Sipas “ekipa.mk”, shtëpia e futbollit të Maqedonisë tashmë ka bërë të ditur se do të dërgojë kërkesë në UEFA, që pritet të përkrahet edhe nga Kosova. Edhe lojtarë të Kosovës luajnë në Itali dhe vende tjera të prekura nga koronavirusi. Edhe ndaj tyre mund të kërkohet masa e izolimit prej 14 ditësh.

Marketing