Maqedonia e Veriut fitoi përkrahjen e Holandës për nisjen e negociatave me BE-në, Shqipëria të bëjë përpjekje shtesë

Komisioni për Çështje Europiane në Parlamentin holandez, përshëndeti përparimin e bërë nga dy vendet kandidate, por konsideron se vlerësimi i tyre duhet të jetë i ndarë, në bazë të arritjeve individuale. Sukses për RMV-në Holanda e quajti Marrëveshjen e Prespës, ndërsa në aspekt të reformave, rekomandoi miratim sa më të shpejtë të Ligjit për Prokurori Publike.

Marketing

Nga Shqipëria, Holanda kërkon të bëjë përpjekje shtesë për përforcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Megjithatë, ministri i jashtëm holandez, Blok, tha se nuk do të vendosë veto për Shqipërinë në KE, përderisa vendet tjera anëtare të BE-së do të jenë PRO fillimit të negociatave.

“Kabineti qeveritar holandez vlerëson se bisedimet me Maqedoninë e Veriut mund të fillojnë por jo edhe me Shqipërinë, sepse Shqipëria deri në këto momente nuk i ka plotësuar kushtet e kërkuara nga KE. RMV ka bërë progres inkurajues me arritjen e Marrëveshjes me Greqinë dhe në luftën kundër korrupsionit. Shqipëria duhet të punojë akoma në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”,- tha ministri i jashtëm në Holandë, Stef Blok.

Data për çeljen e negociatave, KE optimiste për vendim pozitiv për të dy vendet

Nga Komisioni Evropian janë optimistë se Këshilli Evropian do të miratojë vendim për fillimin e bisedimeve, si për RMV-në ashtu edhe për Shqipërinë.

“Komisioni Evropian rekomandon hapjen e bisedimeve me vendin tuaj dhe Shqipërinë. Me të vërtetë besojmë se do të miratohet vendim pozitiv në Samitin e Ministrave javën e ardhshme”,- tha përfaqësuesi i Komisionit Evropian, Kolin Wolf.

Dimitrov: Jemi në udhëkryq, presim kurorëzimin e arritjeve

Edhe shefi i Diplomacisë, Nikolla Dimitrov, është optimist se vendimi i Komisioni Evropian do të jetë në favorin tonë.

“Për momentin gjendemi në udhëkryq. Presim vendimin që do ta sjellë Këshilli i Ministrave dhe më pas të vërtetohet nga Këshilli Evropian, si kurorë për të arriturat dhe rezultatet tona. Fillimi i bisedimeve gjithsesi do të jetë përparësi edhe për BE-në dhe do të tregojë në praktikë se si një shtet mund të ndryshojë në thelb dhe të përparojë, duke u udhëhequr nga perspektiva evropiane”,- theksoi ministri i punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov.

Dimitrov thotë se RMV do të vazhdojë të implementojë reformat që garantojnë jetë evropiane për qytetarët, përmes programeve dhe projekteve të BE-së.

Marketing