Maqedonia e Veriut ndër vendet me ngritje më të lartë ndërmjet dy testimeve PISA

Nxënësit e Maqedonisë së Veriut shënuan progres të jashtëzakonshëm në rezultatet ndërmjet dy testimeve të fundit PISA, që i zbatoi Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik. Organizatori i studimit ndërkombëtar, nëpërmjet të cilit kontrollohet edukimi gjuhësor dhe matematikor, si dhe njohuritë e nxënësve në sferën e shkencave natyrore, e konfirmoi këtë progres, ndërsa rezultatet sot në Qeveri i prezantoi edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi.

Marketing

Ademi informoi se rezultatet e testimit të fundit janë më të mira deri më tani, respektivisht në mënyrë të konsiderueshme janë më të mira në krahasim me rezultatet që nxënësit tani i kanë arritur në dy testimet e fundit që morën pjesë, duke e potencuar konfirmimin e OECD-së se jemi një ndër shtetet me progres më të madh ndërmjet dy testimeve.

“Konkretisht, në sferën e kontrollimit të aftësive për të kuptuar atë që lexojnë, nxënësit e Maqedonisë së Veriut kanë shënuar ngritjen më të madhe, respektivisht janë në vendin e parë sipas progresit. Në sferën e shkencave natyrore janë në vendin e ditë sipas ngritjes në rezultate dhe në vend të tretë në sferën e matematikës”, theksoi Ademi, duke informuar se suksesi është arritur në konkurrencë të 79 shteteve që kanë shprehur interes të kontrollojnë përgatitjen e nxënësve në mënyrë thelbësore sipas standardeve ndërkombëtare, që praktikisht i zbatojnë njohuritë që i kanë përvetësuar deri në moshën 15 vjeçare.

Duke i krahasuar rezultatet e vitit 2015 dhe 2018, Ademi informoi se rezultatet e kontrollit të aftësisë së nxënësve për të kuptuar atë që lexojnë janë përmirësuar për 41 pika, respektivisht në vitin 2015 janë arritur 352 pika, ndërsa 393 pika në vitin 2018; rezultatet e testimit të shkencave natyrore janë rritur për 29 pika, gjegjësisht, në vitin 2015 kemi arritur 384 pika, kurse në vitin 2018 – 413, ndërsa rezultatet e matematikës janë përmirësuar për 23 pika, prej 371 në 394 pika të arritura.

Sipas rang listave zyrtare, Republika e Maqedonisë së Veriut është në vendin e 62-të sipas rezultateve nga shkencat natyrore, ndërsa në vendin e 66 për nga të kuptuarit atë që lexojnë dhe në vendin e 67-të sipas rezultateve të matematikës. Progresi është i dukshëm, nëse merret parasysh fakti se në vitin 2015 shteti ishte në vendin e 68-të për nga rezultati i matematikës dhe në vendin e 69-të për nga rezultatet e shkencave natyrore dhe të lexuarit, edhe atë në konkurrencë të 72 shtete.

“Vlerësoj se këto arritje kanë ardhur si rezultat i ndryshimeve thelbësore që janë bërë në periudhën e kaluar në sferën e arsimit me qasje inkluzive dhe pjesëmarrje të të gjitha palëve gjegjëse. Por, gjithashtu, janë edhe fryt i organizimit të përmirësuar për implementimin e testimit PISA”, theksoi Ademi, duke shtuar se para testimit zyrtar u zhvillua testimi provues dhe ndërkohë të gjithë nxënësit në këtë proces – 760 mësimdhënës, drejtorë dhe mbi 5.500 nxënës u trajnuan mirë dhe u orientuan në mënyrë konkrete për të vepruar, që kontribuoi të kuptohet thelbi dhe rëndësia e këtij procesi.

Ademi theksoi se rezultati duhet të na gëzojë por edhe, siç tha, të na motivojë ta mbajmë kondicionin në krijimin dhe zbatimin e reformave thelbësore arsimore në këtë segment, në çdo nivel dhe në çdo aspekt.

“Jemi duke parë se përpjekjet fillojnë të japin efektin e pritur dhe të projektuar pozitiv. Dhe, kjo është kështu sepse politikat që i krijojmë bazohen në hulumtime dhe analiza objektive dhe kredibile rreth asaj se çfarë në të vërtetë duhet tërësisht të ndryshohet në sistemin arsimor”, potencoi Ademi, duke shtuar se mënyra dhe qasja e këtillë e krijimit të politikave, atë e bën optimist se Maqedonia e Veriut do të arrijë rezultate edhe më të mira në testimet e ardhshme.

Duke i falënderuar të gjithë pjesëmarrësit në procesin e testimit PISA 2018, Ademi ka paralajmëruar se vendi ynë tashmë i ka filluar aktivitetet përgatitore dhe se do të jetë pjesë e testimit të ardhshëm në vitin 2021, pasi paraprakisht në vitin 2020 të zhvillohet testimi provues.

“Në ndërkohë, Qeveria, MASH-i, si dhe të gjitha institucionet dhe palët e përfshira vazhdojmë me zbatimin e reformave, si dhe me ndryshimet – të cilat nuk mund të ndodhin brenda natës, për të cilat nevojitet shumë angazhim, punë dhe aktivitet.

Kjo arritje është indikator i shkëlqyeshëm se jemi duke ecur në rrugë të mbarë për të krijuar sistem nacional arsimor cilësor dhe konkurrues”, ka thënë në fund Ademi.

Për Maqedoninë e Veriut kjo është pjesëmarrja e tretë në testimin ndërkombëtar PISA, pas vitit 2000 dhe 2015 kur, sipas rezultateve, ishim thuajse në fund të renditjes.

Marketing