Maqedonia e Veriut përgatitet për një valë të re migrantësh

Maqedonia e Veriut është duke hartuar një plan rezervë, që të ballafaqohet me një valë eventuale të migrantëve, bëjnë të ditur nga qendra për menaxhimin me kriza.

Ky veprim vjen, pasi muajin e kaluar UNHCR prezantoi të dhëna, ku thuhet se 8100 refugjatë dhe migrantë kanë arritur në ishujt e Greqisë.

Agron Buxhaku, drejtor i qendrës për menaxhim me kriza, për Radion Evropa e Lirë bën të ditur se Maqedonia e Veriut është duke hartuar një plan rezervë për t’u përballë me valën eventuale të mgirantëve.

“Të mërkurën (11 shtator) patëm një takim përfundimtar me përfaqësues të ministrive, që janë të kyçura në menaxhimin e krizës së migrantëve dhe me përfaqësues ndërkombëtarë, me ç’rast diskutuam rreth planit rezervë në rast se Maqedonia e Veriut përballet me një numër të zmadhuar të migrantëve në shtetin tonë”.

“Ne si komitet e përgatitëm këtë plan rezervë dhe të njëjtin do ta japim në qeveri për miratim. Ky është një plan gjithëpërfshirës, për çka definohet se si institucionet duhet të veprojnë në situata të caktuara, pasi mund të pritet një numër më i madh i migrantëve, pas ngjarjeve të fundit në Turqi dhe Greqi, shtete këto që kanë numër të madh të migrantëve”, thotë Buxhaku.

Pas paralajmërimeve të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan një javë më parë, për një fluks të ri të mundshëm të refugjatëve nga Idlibi i Sirisë, me ç’rast u bëri thirrje vendeve të Bashkimit Evropian që të ndërmarrin masa për të ndarë barrën, organizatat që në fokus kanë ndihmën e migrantëve, thonë se edhe në Maqedoninë e Veriut vërehet numër më i madh i lëvizjeve ilegale të migrantëve, megjithëse shtojnë ky numër nuk do të thotë se vihet në funksion sërish, e ashtuquajtura “Rruga Ballkanike”.

Mersiha Smajlloviq nga organizata joqeveritare Legis, për Radion Evropa e lirë thotë se pjesëtarët e kësaj organizata në terren kanë regjistruar rritjen e lëvizjeve të migrantëve që në mënyrë ilegale kanë kaluar kufirin. Megjithatë shton se nuk beson se Maqedonia e Veriut do të përballet me valë migranësh, siç ishte rasti në vitin 2015, sepse siç thekson, politikat e vendeve të Evropës kanë ndryshuar për sa i përket statusit të migrantëve.

“Në shtator është rritur numri i tentimeve për të hyrë ilegalisht në territorin e Maqedonisë së Veriut dhe për të kaluar shtetin përmes rrugëve ilegale. Pra kemi asistuar më shumë migrantë në territorin tonë, kundrejt numrit që ishte në muajin gusht, por ky numër është larg asaj që të mund të thuhet se po fillon një valë e re e migrantëve, të cilët zgjedhin Maqedoninë e Veriut, për të arritur në vendet e Evropës”, thotë Smajlloviq.

Maqedonia e Veriut është e gatshme t’i përgjigjet sfidës me përballjen e migrantëve përgjatë kufijve të saj, thotë Agron Buxhaku, drejtor qendrës për menaxhim me kriza, duke shtuar se nuk është herët të thuhet nëse do të ngjallet, e ashtuquajtura “Rrugë Ballkanike”.

“Që nga viti 2015, kemi të shpallur gjendjen e krizës për çdo gjashtë muaj sepse në këtë mënyrë mund të veprojnë forcat ushtarake përgjatë kufirit. Ne jemi të përgatitur, por si do të ndodhë në përgjithësi lidhur me krizën e migrantëve, për momentin këtë nuk mund ta them sepse kjo varet nga më shumë faktorë, se a do të ringjallët ose jo e ashtuquajtura ‘Rruga Ballkanike’ ose do të gjejnë një rrugë tjetër migrantët për të arritur në shtetet e Evropës Perëndimore”, thotë Buxhaku.

Nga dikasteri i policisë në Maqedoninë e Veriut thonë se gjendja përgjatë kufirit me Greqinë është stabile dhe se në vazhdimësi, forcat e sigurisë e ndjekin situatën.

Policia njëherësh bën të ditur se në gjysmën e parë të këtij viti, sipas të dhënave, krahasuar me vitin e kaluar, ka pasur rritje të tentimeve për ta kaluar ilegalisht kufirin me nga migrantët që gjenden në Greqi.

Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, 10 mijë e 17 migrantë kanë tentuar që të hyjnë ilegalisht në territorin e Maqedonisë së Veriut, ndërkohë, në periudhën e njëjtë, vitin e kaluar, 4 mijë e 800 migrantë kanë tentuar që ta kalojnë ilegalisht kufirin./REL

evn