Maqedonia e Veriut, sfidat e shtetit 28 vjeçar që e ndërroi emrin

Nën moton “Ngjyrat e Pavarësisë”, Maqedonia e Veriut shënon nesër 8 Shtatorin, ditën e Pavarësisë. Kremtimi i përbashkët do të mbahet në Parkun e qytetit, para Guacës dhe me këtë rast Qeveria i fton të gjithë që qytetarët të mblidhen në orën 11:00, në këtë ngjarje është paraparë që të mbajë fjalim edhe kryeministri Zoran Zaev.

Marketing

Nesër bëhen 28 vjet, që kur qytetarët e Maqedonisë, në referendumin e vitit 1991 u deklaruan për shtet të pavarur dhe sovran. Dita e Pavarësisë së Maqedonisë nesër do të shënohet në të gjithë territorin e vendit, ndërsa aktivitetet për këtë ditë, fillojnë që nga orët e pasdites së sotme, kur nga kazerma “Ilinden” do të bëhet qitje artilerike nga njësia e batalionit artilerik të Armatës. Sipas paralajmërimeve, në kuadër të festimit do të ketë program të pasur kulturor-artistik dhe argëtues.

Qytetarët do të kenë mundësi të shijojnë ushqim tradicional, do të marrin pjesë në aktivitete sportive dhe do të kenë mundësi ta shohin ekspozitën e përgatitur nga fëmijët e shtëpive të vogla grupore. Në stendë të posaçme të Ministrisë së Shëndetësisë do të mund të masin shtypjen e gjakut dhe të kryejnë kontroll të syve. Pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Armatës do të kryejnë stërvitje.

Shënimi i 8 Shtatorit – Ditës së Pavarësisë do të fillojë me vendosjen e luleve në varrezat partizane në Butel dhe në varret e presidentëve të ndjerë, Boris Trajkovski dhe Kiro Gligorov.

Kujtojmë që gjatë rrugëtimit 28-vjeçar të pavarur, shteti kaloi nëpër një sërë problemesh dhe vështirësish. Inflacioni treshifror në fillim të viteve të 90-ta, embargoja greke, kriza me refugjatët nga Kosova dhe konflikti i vitit 2001 ishin sfida të vërteta për shtetin e ri të Maqedonisë që e ngadalësuan rrugën e saj drejt realizimit të qëllimeve strategjike – përforcimin e demokracisë, zhvillimin ekonomik dhe integrimin në strukturat euroatlantike.

Edhe kriza politike e viteve të fundit shkaktoi stagnim në procesin e eurointegrimeve, por u tejkalua me Marrëveshjen e Përzhinos, zgjedhjet parlamentare të dhjetorit dhe formimin e shumicës së re në pushtet.

Vite të gjata pati edhe kontest të pazgjidhur me Greqinë për shkak të emrit, Bisedimet filluan nën patronatin e Kombeve të Bashkuara në mënyrë që përfundimisht, pas negociatave shumëvjeçare, vitin e kaluar më 17 qershor në Prespë, në prani të kryeministrave Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras të nënshkruhet marrëveshje mes dy shteteve për zgjidhje të kontestit me emrin.

Me këtë u hap rruga e shtetit drejt BE-së dhe NATO-s. Vendi mori ftesë për anëtarësim në NATO, që do të rrumbullakësohet me nënshkrimin e protokollit nga të gjitha shtetet anëtare të Aleancës, ndërsa pas raportit të të sivjetmë pozitiv të Komisionit evropian për përparimin e shtetit, pritjet janë se në tetor do të marrë edhe datë për fillim të negociatave me Bashkimin Evropian.

Marketing