MAQEDONIA NË NATO. Një inkurajim për Kosovën e Ballkanin

Protokolli inkuadrues për hyrjen e Maqedonisë në NATO do të nënshkruhet javën e ardhshme në selinë e NATO-s në Bruksel, mëson gazeta KOHA. Këtë vit (2019), bëhen 20 vjet që kur Maqedonia është vend kandidat për anëtarësim në NATO. Pas nënshkrimit të protokollit fillon procesi i ratifikimit në 29 parlamentet e vendeve anëtare të NATO-s, ndërsa i pari duhet ta ratifikon parlamenti grek, shkruan gazeta KOHA.

Marketing

Procedura për ratifikimin e protokollit për anëtarësim në NATO, Malit të Zi i ka zgjatur 12 muaj. Stevo Pendarovski koordinator kombëtar për përgatitjen e Maqedonisë për anëtarësim në NATO, në një prononcim për gazetën KOHA thotë se pret që edhe procedura e ratifikimit të protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO të zgjatë jo më shumë se një vit. Ai shprehë besimin që në vitin e ardhshëm Maqedonia të bëhet anëtare e 30-të e NATO-s.

“Procesi i aderimit në NATO i vendeve të ish-Jugosllavisë dhe Ballkanit në përgjithësi ka filluar shumë herët, në vitin 2002 me anëtarësimin e Sllovenisë. Të gjitha vendet e rajonit, përveç Serbisë janë anëtarësuar apo janë rrugës së anëtarësimit në NATO. Madje edhe Kosova e cila nuk është anëtare e organizatave ndërkombëtare është deklaruar se dëshiron të anëtarësohet në NATO. Kjo nuk është rastësi për arsye se të gjitha vlerësimet e bëra, nga të gjitha shtetet e rajonit, tregojnë se anëtarësimi në NATO nuk është faktor destabilizimi, por përkundrazi është faktor stabiliteti dhe zhvillimi ekonomik”, deklaroi për gazetën KOHA, Stevo Pendarovski, koordinator kombëtar i Maqedonisë për anëtarësim në NATO. Ai thekson se NATO, jep mundësinë për të qenë një shtet më i sigurt për arsye se është aleanca më e fuqishme politiko-ushtarake në botë.

“Nga anëtarësimi në NATO, askush deri më sot nuk ka dalë humbës. Në rastin e Maqedonisë është pozitive se gjithë qytetarët në përqindje të madhe e duan anëtarësimin e vendit në NATO. Pra, nëse të gjitha bashkësitë etnike që jetojnë në një shtet e duan anëtarësimin në NATO, kjo flet për kohezionin që po mbretëron në atë shtet”, theksoi Pendarovski. Gazetari dhe analisti nga Tirana, Lutfi Dervishi, në një bashkëbisedim ekskluziv për gazetën KOHA, vlerëson se anëtarësimi i pritshëm i Maqedonisë në NATO do të rrisë sigurinë në rajon dhe do të jetë një faktor shtese për thellimin e bashkëpunimit rajonal. “Në fillim të viteve 90 – pothuaj çdo vend i rajonit ishte barrë për NATO-n dhe BE-në, ndërsa tani nga konsumator sigurie po bëhen eksportues sigurie. Debati i ndryshimit të kufijve është jashtë kohe. Sado t’i ndryshosh kufijtë në Ballkan, kurrë nuk do të mundesh që serbët, shqiptarët, maqedonët, kroatët (madje edhe greket) t’i bësh që të gjithë të jetojnë në një shtet. Zgjidhja nuk është tek ndryshimi i kufijve, por te ndryshimi i mentalitetit dhe mënyrës së qeverisjes”, deklaroi për gazetën KOHA, Dervishi.

Nga ana tjetër, gazetari nga Prishtina, Parim Olluri në një prononcim për gazetën KOHA thotë se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO mund te jetë një simbolikë e mirë për Kosovën dhe Ballkanin. “Ruajtja e sigurisë në Kosovë reflektohet më së miri nga prania e trupave të NATO-s në Kosovë, KFOR-it. Kjo e garanton atë. Megjithatë, anëtarësimi i Maqedonisë në NATO mund të jetë një simbolikë e mirë për Kosovën e Ballkanin. Ngjashëm siç është rasti i Malit të Zi. Kjo tregon për një afrim të Ballkanit me NATO-n”, potencon Olluri.

Sikundër dihet, për 20 vite që kur Maqedonia është vend kandidat për anëtarësim në NATO, pengesë kryesor për anëtarësim ka qenë kontesti i emrit me Greqinë. Pas nënshkrimit dhe ratifikimit të Marrëveshjes së Prespës, midis Shkupit dhe Athinës janë hapur dyert e NATO-s dhe i ka ngelur Maqedonisë që të përshpejtojë vrapin që të arrijë deri te porta për tu futur nën “ombrellën” e NATO-s, aleancës më të fuqishme politiko ushtarake në botë. (koha.mk)

Marketing