Në Ballkanin Perëndimor, konsumin më të lartë të cigareve, ku një person mbi 16 vjeç (41.5 për qind) pi mesatarisht në një vit mbi 2000 cigare, është Maqedonia dhe në vend të dytë Shqipëria. Kështu thuhet në hulumtimin e publikuar nga tobaccoatlas.org, sipas të cilës, mbi 1000 fëmijë nga mosha 10 deri në 14 vjeç (1.41 për qind) janë konsumues të rregullt të duhanit, ndërsa mbi 4000 vdekje në nivel vjetor, shkaktohen nga dëmet që sjell duhanpirja, shkruan gazeta KOHA. Në nivel vjetor, harxhimet e duhanxhinjve arrijnë në 16.065.000.000 denarë, e barabartë kjo me 4.31 për qind e Bruto Prodhimit Vendor të Maqedonisë. Rritja e numrit të duhanxhinjve, siç shkruan tobaccoatlas.org, po rrit edhe numrin e harxhimeve mjekësore të shtetit.

“Megjithëse viteve të fundit Maqedonia ka bërë progres për kontrollin e duhanit, qytetarët e këtij vendi vazhdojnë të vdesin si shkak i sëmundjeve që po fitohet nga duhanpirja. Shteti mund dhe duhet të bëjë edhe më shumë që të parandalojë duhapirjen tek të miturit, numri i të cilëve si konsumues po shtohet ditë e më shumë”, shkruan tobaccoatlas.org.

Në 2016, tobaccoatlas.org tregon se Maqedonia prodhoi 27.578 ton duhan, apo 1.48 për qind e prodhimtarisë agrukulturore në vend. Shndërruar në cigare, vetëm në Maqedoni ishin prodhuar 4.120.000.000. Sipas tobaccoatlas.org konsumin më të ulët të cigares në rajon e ka Mali i Zi me 1101 cigare. Më pas renditet Bosnje dhe Hercegovina, ku konsumi i cigares është 1767, e ndjekur nga Serbia me 1899 cigare. Shqipëria, e cila në nivel rajonal renditet e dyta, ndërsa e gjashta në botë për konsum të lartë të cigareve për frymë, ka gjithashtu të dhëna të tmerrshme. Sipas tobaccoatlas.org, konsumi i cigareve te shqiptarët mbi 16 vjeç ishte 2492 cigare për person për vitin 2016, duke u renditur kështu ndër vendet me konsumin më të lartë në botë.

Në ndërkohë, tobaccoatlas.org raporton se në të gjithë botën është përllogaritur se janë konsumuar rreth 5.7 trilionë cigare. Edhe pse konsumi ka rënë lehtë në vitet e fundit, ecuria e kësaj industrie është e pasigurt. Pavarësisht angazhimit të industrisë së duhanit për të pasur një shoqëri që konsumon sa më pak atë, në disa prej shteteve të botës vijon të bëhen fushata marketingu, ndërsa rënia e konsumit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Australi, Brazil, lidhet me implementimin e ligjeve të forta për të reduktuar konsumin e tij.

Sipas analizës së kryer nga tobaccoatlas.org. konsumi i cigareve parashikohet me rritje në shumë prej vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme si pasojë e zhvillimeve dinamike ekonomike dhe rritjes së vazhdueshme të popullsisë.

VENDET ME KONSUMIN MË TË LARTË NË BOTË

Vendi me konsumin më të lartë të cigares në botë është Andorra, ku sipas të dhënave konsumi i cigares për popullsinë mbi 16 vjeç në 2016 ishte 6398 cigare, pasuar nga Luksemburgu me një konsum prej 6330 cigare. Më pas me një diferencë të konsiderueshme, renditet Bjellorusia ku konsumi i cigareve për frymë sipas të dhënave të tobbacoatlas.org llogaritet 2911 cigare. Ndërsa vendet afrikane dhe një pjesë e vendeve të Amerikës Latine janë ato që kanë konsumin më të ulët, sikurse vërehet edhe nga harta.

NË ÇFARË MOSHE FËMIJËT E FILLOJNË KONSUMIMIN E CIGARES

Cigarja mbetet shkaktari i vdekjes së rreth 6 milionë njerëzve në botë çdo vit, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Për shumicën, duhani fillon në shkollën e mesme. Mirëpo, në çfarë moshe fillon saktë konsumimi i tij në përgjithësi? Në Amerikë, si dhe në pjesën më të madhe të Evropës, studimet tregojnë se ndezja e parë e cigares ndodh në mes të moshës 15-16 vjeçare, raporton tobaccoatlas.org. Në SHBA 15.3 ishte mosha mesatare kur fillon konsumimi i cigares, përderisa në vendet evropiane cigarja fillohet rreth moshës 16 vjeçare të djemtë, kurse përafërsisht nga mosha 15 vjeçare vajzat fillojnë duhanin. (koha.mk)