Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq ka dërguar kritika deri te opozita, pasi siç thotë, pengojnë ndryshimin e Rregullores së punës së Kuvendit për votim online në seanca plenare.

“Në të gjithë parlamentet e civilizuara në Evropë dhe në rajonin tonë, tashmë punohet në seanca online në forma të ndryshme. Parlamenti Evropian me 800 deputetë është digjitalizuar në tërësi me seanca online të komiteteve, në plenum dhe me votim online. Atë e kanë bërë të gjithë, sepse është nevojë dhe qasje njerëzore në kushte të pandemisë afatgjate e cila i ka prekur të gjithë. Vetëm te ne, Rregullorja e Kuvendit nuk mund të ndryshohet që të mundësohet pjesëmarrje online e deputetëve të infektuar për shkak të strategjisë politike destruktive të gjithë opozitës”, shkroi mes të tjerash Mariçiq në “Facebook”, transmeton TV21.

Ndërkaq, se ka pasur përpjekje për të ndryshuar Rregulloren e Kuvendit për votim online, në seancë plenare njoftoi edhe kryeparlamentari Talat Xhaferi.