Një ditë më parë kryeministri Edi Rama ishte në Athinë aty ku pati një takim me homologun grek Kyriakos Mitsotakis.

Pas takimit Rama u shpreh se do të rinisë dialogu mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Ndërsa sot zbulohet se përmes një vendimi qeverie kryeministri Edi Rama ka ndryshuar grupin negociator për ‘Marrëveshjen e Detit’, të ngritur në kohën kur kryenegociator ishte ministër i Jashtëm, Ditmir Bushati.

Përmes një ‘Vendimi të Këshillit të Ministrave’ (VKM), qeveria ka reduktuar grupin negociator nga 13 në 7 anëtarë.

Komisioni tashmë përbëhet nga 7 zëvendësministra dhe në cilësinë e kryetarit do të vendoset njëri prej zëvendësministrave për Punët e Jashtme, Etjen Xhafaj ose Sokol Dedja.

VKM-ja:

‘Vendim për përbërjen dhe funksionimin e komisionit të posaçëm për administrimin e ujërave ndërkufitare

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës ‘b’, të pikës 2, të nenit 8, dhe të pikës 2, të nenit 22, të ligjit nr.111/2012, ‘Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore’, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përbërja e Komisionit të Posaçëm për Administrimin e Ujërave Ndërkufitare (në vijim, Komisioni) është, si më poshtë vijon:

Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për punët e jashtme, kryetar;

Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për punët e brendshme, anëtar;

Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për mjedisin, anëtar;

Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për furnizimin me ujë të pijshëm dhe kanalizimet, anëtar;

Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për energjinë, anëtar;

Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për peshkimin, ujitjen dhe kullimin, anëtar;

Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për mbrojtjen, anëtar.

Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore ka rolin e sekretariatit teknik të Komisionit dhe kryen këto detyra:

a) Organizon mbledhjet e Komisionit dhe njofton anëtarët;

b) Planifikon dhe harton projektaktet, sipas tematikave përkatëse;

c) Realizon çdo detyrë tjetër që i ngarkon kryetari i Komisionit;

ç) Raporton periodikisht pranë Kryeministrit për veprimtarinë e Komisionit.

3. Komisioni ngarkohet për administrimin e ujërave ndërkufitare, administrimin e marrëdhënieve me shtetet kufitare për këto ujëra, duke u bazuar në legjislacionin shqiptar, në marrëveshjet ndërkombëtare, konventat dhe protokollet e nënshkruara nga Republika e Shqipërisë.

4. Komisioni ka të drejtë të krijojë nënkomisione me ekspertë të fushave përkatëse për probleme dhe çështje specifike.

5. Titullarët e institucioneve përgjegjëse të përmendura në pikën 1, të këtij vendimi, caktojnë përfaqësuesit e tyre në këtë Komision.

6. Vendimi nr.177, datë 26.3.2014, i Këshillit të Ministrave, ‘Për krijimin, përbërjen, funksionimin, përgjegjësitë dhe detyrat e Komisionit të Posaçëm për Administrimin e Ujërave Ndërkufitare’, i ndryshuar, shfuqizohet.

7. Ngarkohen Komisioni i Posaçëm për Administrimin e Ujërave Ndërkufitare, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore dhe institucionet e përmendura në pikën 1, për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në ‘Fletoren zyrtare’.

Artikulli paraprakDoris Pak në takim me deputetet e VMRO-DPMNE-së
Artikulli tjetërGjiganti italian i futet garës për Haaland