Marrëveshjet finale për kompletimin e kabinetit qeveritar

Ditëve të ardhshme duhet të kompletohet kabineti qeveritar me zëvendësministrat dhe sekretarët shtetërorë, ndërsa partnerët e koalicionit i dakordojnë edhe pozitat e drejtorëve në institucione.

Marketing

Bashkimi Demokratik për Integrim do t’i propozojë zëvendësit në pesë ministri.

“Me partnerin e koalicionit LSDM-në jemi dakorduar për ndarjen e pozitave të zëvendësministrave, sekretarët shtetërorë si edhe ndarjen bazë të disa prej pozitave të drejtorëve. Por, kjo gjegjësisht nuk është ndarje por zëvendësim i resorëve, për shembull SHA Posta me MEPSO-n, Fondi i SPIM me NPRRSH. Bëhet fjalë vetëm për ndërrimin e pozitave të drejtorëve që të jemi shumë produktivë dhe njerëzit të japin rezultate më të mira në vendet e tyre të punës”, tha dje zëvendëskryeministri Artan Grubi.

Ai shpreson se sot ose nesër do të përmbyllen emrat e zëvendësministrave dhe sekretarëve shtetërore dhe paralajmëroi se BDI do t’i ketë edhe pesë sekretarë shtetërorë.

Zëvendëskryeministri i parë si spekulime i vlerësoi informacionet se është biseduar edhe për emra të cilat duhet t’i ndërmarrin pozitat e drejtorëve në institucione publike. “Pozitat e drejtorëve nuk janë ndarë. Ne i kemi ndërruar pesë pozita të drejtorëve me pesë të tjera”, sqaroi Grubi. Ai shton se emrat nuk dihen akoma, por se do të kumtohen përmes përfaqësuesve të partisë së tyre dhe jo përmes rrjeteve sociale.

Në koalicionin “Mundemi” akoma janë duke u dakorduar pozitat kadrovike. Një pjesë e zëvendësministrave duhet të vijnë prej radhëve të partnerëve të koalicionit të LSDM-së, të cilët ngelën pa përfaqësues të Qeverisë pasi u pezulluan funksionet ministrore pa resor.

Kryeministri Zoran Zaev javën e kaluar deklaroi se nuk ka probleme në shpërndarjen e pozitave por se po udhëhiqet nga debati cilësor që të gjendet gjuhë e përbashkë që të vihen kuadrot më cilësorë të cilët janë në dispozicion.

Ky, tha, është proces në të cilin bëhen bisedime me partnerët, dëshirojmë t’i zgjedhim ata me më cilësi prej asaj që e kemi si ofertë, tha kryeministri Zaev.