Marrja e datës për negociatat me BE-në, Franca ende pa vendim të prerë

Franca nuk po i vë veto Maqedonisë së Veriut për marrjen e datës për fillim të negociatave me BE-në, por me të drejtë kërkon përmirësimin e metodologjisë për bisedimet në mënyrë që përparimi i bërë në të gjithë kapitujt të jetë i pakthyeshëm. Kështu i ka komentuar presidenti i vendit, Stevo Pendarovski zërat e shtuar kohëve të fundit se Franca do ta bllokojë Shkupin dhe Tiranën për datën.“Përshtypja ime dhe atyre që punojnë me mua nuk është se Franca po na bllokon, dhe mendoj se nuk bëhet fjalë aspak për veto të Francës për bisedimet aderuese. Franca, me të drejtë kërkon përmirësim të metodologjisë së bisedimeve më të cilën përfitimet dhe përparimi i bërë para bisedimeve, të jetë i pakthyeshëm. Por neve si Maqedoni e Veriut nuk ka pse na tremb përmirësimi i kritereve të bisedimeve sepse jemi të sigurt se kemi ekipe të përgatitura për negociata”-tha Pendarovski.

Marketing

Këto komente presidenti Pendarovski i bëri nga Vjena ku po qëndron për vizitë zyrtare, i pritur nga presidenti federal, Aleksander Van der Belen.

Për qëndrimet e Francës lidhur me datën për fillimin e negociatave me BE-në, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, ka thënë se respekton mendimin individual të çdo vendi dhe se debati është i hapur në funksion të qasjeve të ardhshme metodologjike në procesin negtocieues, por nuk pret që kjo të jetë pengesë për marrjen e datës për bisedimet.

“Nuk ka shtet i cili është anëtar i BE-së ose bisedon me BE e cila ka bërë më shumë se RMV që të merr vendimin e merituar për të filluar bisedimet”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev, duke shtuar se megjithatë nuk do të dëshiron të përshpejtojmë me konkluzione.

Edhe ambasadori francez në vend, Kristijan Timonier ka pohuar se pozicionin i Francës vazhdon të mbetet i paqartë.
Hapërojmë së bashku, data është diçka, por ajo që ka rëndësi është parimi me të cilin hapërojmë së bashku. Neve na motivon kjo gjë”, tha Timonier.

Nga ana tjetër, Komisioni Evropian mbetet i prerë në qëndrimin e qartë se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria javën që vjen duhet të marrin dritën e gjelbërt për hapjen e negociatave. Këtë e ka deklaruar nga Bruksel Johanes Han, i cili deri në fillimin e mandatit të Komisionit të ri mbetet komisioner për fqinjësi dhe zgjerim të Bashkimit Evropian.

Duke nënvizuar përparimin e dy shteteve në përmbushjen e kritereve Hahn u ka bërë thirrje shteteve anëtare, sidomos atyre që ende hezitojnë, të marrin vendimin pozitiv sepse në të kundërtën, siç është shprehur ai, Bashkimi Evropian do ta humbte besimin dhe do të krijohej në rajon një vakuum i paqëndrueshëm të cilin do ta plotësonin aktorët tjerë.

Për hezitimin e Francës për një “PO”, Hahn thotë se ka konstatuar gatishmëri për të kërkuar një zgjidhje nga ky shtet.

Vendimi për hapjen e negociatave me Maqedoninë e veriut dhe Shqipërinë do të duhej të miratohej të martën që vjen në takimin e Ministrave të Bashkimit Evropian në Luksemburg. Por, vendet si Franca dhe Holanda vazhdojnë të jenë kundër.