“Bërtit fort kundër dhunës” ishte motoja e Marshit të 10 jubilar për tolerancë, nën organizim të Komitetit të Helsinkit i cili filloi para Muzeut të Qytetit të Shkupit, duke kaluar nëpër rrugën Maqedonia dhe përfundoi para Universitetit të Evropës Juglindore në Çarshinë e Vjetër.

U marshua jo vetëm kundër gjuhës së urrejtjes, por edhe kundër veprimeve të ndryshme në shoqëri të cilat shfaqen si pasojë e urrejtjes. Gjuha e urrejtjes posaçërisht është e pranishme në rrjetet sociale, pa mundësi për sanksionim apo largim.

“Edhe krahas ndryshimeve në prokurori, edhe më tutje rastet të cilat ne me vite i paraqesim ngelen të bllokuara nëpër sirtarë”, tha Koço Andonovski.

Nga viti në vit po ngrihet vetëdija për ekzistimin e dhunës. Një pjesë e të rinjve arrijnë të njohin gjuhën e urrejtjes, por jo të gjithë.

“Ne duam të punojmë pikërisht për të rinjtë. Për ata të cilët duhet të jenë të vetëdijshëm edhe për gjuhën e urrejtjes dhe të jenë të gatshëm ta njohin atë, të dinë si t’i kundërvihen këtij fenomeni, dhe çka është më e rëndësishme të dinë se ku të paraqesin rastet e tilla”, u shpreh Stefi Spirovska.
Sipas Xhabir Derallës nga Organizata joqeveritare Civil, janë duke u ndërmarrë hapa për tejkalimin e jo-tolerancës e cila është e pranishme pothuajse në të gjitha fushat.

“Jo-toleranca është e pranishme tek relacionet mes gjinive, tek komunitetet ndëretnike, LGBT, jo-toleranca në këtë shoqëri vërehet edhe tek qytetarët me rrezik social, personat me nevoja të veçanta, mënyrë e mendimit dhe sjelljes tek njerëzit në lidhje me bindjet e tyre politike”, tha Xhabir Deralla.

Ndryshimet e vërteta janë të mundshme vetëm me qytetarë dhe institucione të vetëdijshme dhe të përgjegjshme të cilët e njohin dhe reagojnë kundër dhunës në amvisëri, në shkolla, stadiume, në rrugë dhe në botën virtuale.

“Ne kemi shkelje të tolerancës edhe në ajrin të cilin e thithim, në mënyrën se si punësohen njerëzit, në mënyrën se si gjykatat sjellin vendime të ndryshme për persona të ndryshëm. Një shembull tipik : nëse një qytetar i thjeshtë bën shkelje, ai rrezikon që menjëherë të futet në burg, ndërsa për disa persona të tjerë të caktuar ka tolerancë të pafund”, u shpreh Ashmir Delilovski.

Sistemi arsimor dhe mediat kanë rolin kryesor në procesin e ndërtimit të kulturës së vërtetë kundër dhunës dhe për të pasur një shoqëri më të shëndoshë. Në rrugën drejt familjes evropiane, duhet pasur parasysh se toleranca duhet të jetë tregues themelor në të gjitha nivelet e veprimeve të shoqërisë dhe institucioneve, porosisin organizatorët e marshit.