Mas: E keni shansin historik, shfrytëzojeni

Shpresoj se të gjithë qytetarët e Maqedonisë më 30 shtator do ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre dhe do të votojnë në referendum. E keni shansin historik që të zgjidhet kontesti për emrin dhe të hapet perspektiva evropiane e Maqedonisë.

Marketing

Vendimi është në duart e qytetarëve, theksoi në konferencën e përbashkët për shtyp, ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Hajko Mas, me nikoqirin e tij, shefin e diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov.

Sipas tij, zgjidhja e kontestit për emrin është një hap i rëndësishëm në drejtim të Evropës.

“Maqedonia vitin e ardhshëm mund të fillojë negociata me BE-në. Jam i sigurt se tek personat përgjegjës në Shkup do të hapet ajo rrugë. Ne jemi për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo është e rëndësishme për stabilitetin e rajonit dhe prandaj kjo nuk është vetëm interesi juaj evropian, por edhe i yni.

Njëkohësisht, inkuadrimi në BE nënkupton edhe kritere tjera – shtet ligjor, luftë me korrupsionin dhe krimin e organizuar”, ka thënë Mas.

Ai theksoi se me zgjidhjen e kontestit u tregua se pushteti ka vizion për ardhmërinë e Maqedonisë dhe ka dhënë inkurajim për të vazhduar përmes asaj rruge duke hapëruar guximshëm.
Dimitrov tha se me vizitën e Masit, vizitën e kancelares Merkel në Ditën e pavarësisë dhe vizitën e nesërme të ministres gjermane të Mbrojtjes, nuk mund të ketë sinjal më të qartë për mbështetjen gjermane e cila bazohet në një arsye bazë se Berlini njeh vendosmëri tek Republika e Maqedonisë për t’i zgjidhur problemet, të qëndrojë në këmbë dhe të niset përpara.

“Jo vetëm për arsye egoiste ose arsye të tonat jam nderuar me këtë vizitë të Masit. Jetojmë në Evropë e cila është shumë e zënë me veten. Gjermania dhe ministri janë shembull, shtyllë për Evropën e tanishme dhe ku dëshirojmë të shkojmë, një kombinim i mirë i parimeve evropiane me vlerë”, tha Dimitrov.

Theksoi se e ka informuar Masin për përpjekjet që të sqarohen të gjitha hollësitë e qytetarëve për Marrëveshjen e Prespës dhe për përfitimet nga anëtarësimi në NATO. Pas këtij hapi strategjik, neve na paraprijnë reforma në vend, shtoi Dimitrov.

Gjatë vizitës së Mas, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski dhe ambasadori gjerman Tomas Gerberih sot nënshkruan Deklaratë për njohjen dhe këmbimin e patentë shoferit midis dy vendeve.

Me nënshkrimin e deklaratës, qytetarët e Maqedonisë, të cilët kanë patentë shoferi të Maqedonisë derisa qëndrojnë në territorin e Gjermanisë nuk do të kenë nevojë nga patentë shoferi ndërkombëtare. Njëherit, shtetasit e Maqedonisë të cilët kanë qëndrim të rregullt në territorin e Gjermanisë në kërkesë të tyre do të mund të bëjnë zëvendësimin e patentës së shoferit.