Masa të reja kundër Kovid-19 – Hotelierët do të punojnë deri në ora 23, administrata nga shtëpia, ndërsa transporti publik me kapacitet të përgjysmuar

Të gjitha objektet hotelierike do të punojnë deri në orën 23:00, administrata shtetërore duhet ta organizojë punën nga shtëpia ose në turne, ndërsa kapaciteti i transportit publik do të kufizohet për 50 për qind. Këto janë pjesë e rekomandimeve të Komisionit për sëmundje ngjitëse me qëllim të mbrojtjes nga Kovid-19, të cilat Qeveria dje i miratoi dhe të njëjtat menjëherë kanë hyrë në fuqi.

Marketing

Të gjitha objektet hotelierike do të punojnë deri në ora 23:00, përveç atyre që kryejnë dërgesa, ndërsa tërë administrata shtetërore dhe publike, komunat dhe gjykatat duhet ta organizojnë punën në turne, onlajn nga shtëpia ose në mënyrë të reduktuar me sistem të rotacioneve.

Në pajtim me vendimin qeveritar gara atletike “23 Tetori” në Shkup do të shtyhet, si dhe do të mbetet ndalesa për pjesëmarrjen e publikut në garat sportive të organizuara nga Federata e Hendbollit dhe federatat e tjera të sportit. Gjithashtu dje u miratua edhe Protokolli për veprim gjatë dhënies së provimit profesional për mësimdhënësit dhe bashkëpunëtorët profesional gjatë pandemisë me KOVID-19.

Këto propozime Qeveria i pranoi nga Komisioni për sëmundje ngjitëse me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik dhe uljes së numrit të të infektuarve me Kovid-19.

Përndryshe, ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për mbrojtjen e popullatës nga sëmundjet ngjitëse, dje ishin në rend dite të Kuvendit, pasi opozita kërkoi kohë për t’i shqyrtuar. Ndryshimet e këtij Ligji duhet të jenë bazë për zbatimin e këtyre masave për mbrojtje nga koronavirusi.

Me ndryshimet në Ligj, do të jetë e obligueshme mbajtja e maskës në ambient të hapur, do të ndalohet grupimi në ambient të hapur pas orës 22:00 dhe do të kufizohet numri i mysafirëve në shtëpi më shumë se katër persona.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe megjithatë, pret që deputetët të tregojnë përgjegjësi dhe urgjentisht t’i sjellin masat e reja për mbrojtje nga Kovid-19, sepse, thekson, situata është serioze.

“Deputetët të dëshmojnë përgjegjësi sa më parë në mënyrë unanime të votohen dy pako masash për mbrojtjen e popullatës dhe parandalimin e përhapjes së mëtejme të virusit. Kërkoj të gjithë të unifikuar të dërgojmë mesazhin e unitetit rreth rëndësisë së respektimit të masave. Ato tërësisht janë të bazuara në analizat e Institutit për Shëndet Publik dhe në përvojat ndërkombëtare. Masa të njëjta ose të ngjashme për momentin tashmë janë në fuqi në të gjitha shtetet evropiane”, potencoi ministri Filipçe.

Njëherit i porosis qytetarët se edhe masat ekzistuese dhe rekomandimet janë në interes të mbrojtjes së shëndetit të tyre dhe duhet të respektohen në mënyrë konsekuente.

Kapacitetet spitalore po mbushen në mënyrë të përshpejtuar. U mbushën disa spitale, prej sot janë vendosur pacientë në spitalin modular afër Klinikës infektive.

“Kapacitetet spitalore janë një ndër parametrat kryesorë. Nëse vlerësojmë se këto kapacitete të cilat janë dimensionuar për të qenë rezervë po përmbushen, atëherë, definitivisht do të rekomandojmë restriksion të plotë në lëvizje, përkatësisht orë policore. Nuk ka shtretër të lirë në disa reparte infektive në vend, në spitalin në Kumanovë, Shtip, Strumicë. Filloi të mbushet edhe reparti në Kavadar dhe në Gostivar.

Shtoi se para nesh është periudha më e rrezikshme prej disa muajve, muajt e vjeshtës dhe të dimrit, në të cilët, siç theksoi, mund të komplikohet situata epidemiologjike në vend edhe me numër shtesë të rasteve të sëmundjeve të tjera, grip sezonal dhe ftohje.

“Respektimi i masave, mbajtja e maskave dhe mbajtja e distancës përveç që do të thotë mbrojtje e shëndetit personal, publik, të familjarëve, do të thotë edhe respekt ndaj punës së punonjësve shëndetësorë të cilët pandërprerë, prej fillimit, po luftojnë me këtë krizë”, tha Filipçe.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Ilir Hasani mbrëmë sqaroi se masat kufizuese janë të vetmet masa që mund ta parandalojnë përhapjen e infeksionit Kovid-19.

Sipas Hasanit, jemi brenda kufirit të arsyeshëm të poshtëm të masave kufizuese, por nëse rritet numri i të infektuarve të rinj, ekziston mundësia për t’i përforcuar ato.

“Ne jemi brenda një kufiri të arsyeshëm të ulët të masave kufizuese, nuk do të thotë që duhet të relaksohemi, por në fushën e kufirit të ulët, i cili është i arsyeshëm në mënyrë që masat të kenë efekt në çdo kohë, por në asnjë mënyrë nuk përjashtohet mundësia që ne mund t’i forcojmë masat kufizuese bazuar në numrin që është rritur në javët e fundit”, tha zëvendësministri.

Gjatë ditës së djeshme u regjistruan 408 raste të Kovid-19. Janë shëruar gjithsej 281 pacientë, ndërsa katër e kanë humbur jetën.

Numri i përgjithshëm i të diagnostifikuarve në vendin tonë nga fillimi i epidemisë arrin 24.196, numri i pacientëve të shëruar është 17.673, ndërsa i viktimave 850. Për momentin numri i rasteve aktive në vend arrin 6.673.