MASh apel semimaturantëve: Përzgjidhni arsimin profesional

MASh filloi fushatën “Zgjedh arsimin profesional, edhe shkollë e mesme edhe e vlefshme”, e cila ka për qëllim ngritjen e vetëdijes së semimaturantëve për përzgjedhjen e arsimit të mesëm profesional.

Marketing

Beneficionet e arsimit të mesëm profesional janë të shumta, theksoi ministri i arsimit, Arbër Ademi, sipas të cilit ende ekzistojnë mite që reduktojnë popullaritetin e arsimit profesional, por MASh në kontinuitet po punon për përmirësimin e kushteve në shkollat profesionale dhe fton semimaturantët të përzgjedhin drejtimet profesionale që ofrojnë perspektivë.
“Plane të reja mësimore po, programe të reja mësimore po, përmirësim të kushteve në shkollat e mesme profesionale në përputhje dhe bashkëpunim me kompanitë me sektorin e biznesit, furnizim me pajisje në shkollat e mesme profesionale dhe kemi vlerësuar se nevojitet një fushatë e cila do të ndikon në ngritjen e vetëdijes, informimin e drejtë”,- tha ministri i arsimit, Arbër Ademi.
Nga Shkolla e Mesme “Mihajllo Pupin” thonë se shumica e nxënësve pas përfundimit të arsimit të mesëm punësohen në kompanitë me ndihmën e të cilave vijojnë praktikën.
“Vitin e ardhshëm shkollor kyçen edhe gjashtë kompani, siç janë “Usje Titan”, “Vanhol”, “Rade Konçar”, “Tep Vitalia”, me ç’rast të gjithë nxënësit që do regjistrohen në këto paralele do të punësohen në këto kompani. Kjo është mundësi shumë e mirë për nxënësit që nuk do vijojnë arsimin sipëror, të punësohen menjëherë pas përfundimit të arsimit sipëror”,- tha drejtori i Sh. M. “Mihajllo Pupin”, Dimitar Georgiev.
“Përmes arsimimit dual dhe atij të mesëm profesional, nxënësit do përforcojnë njohuritë e tyre, do të aftësohen në sferën e komunikimit, kreativitetit, përgjegjësisë dhe do zhvillohen aftësitë e ndërmarrësisë. Më e rëndësishmja është se nxënësi ka mundësi që të përzgjedh profesion që është deficitar në tregun e punës, jo vetëm në vendin tonë, por edhe në vendet e BE-së”,- tha Oda Ekonomike e RMV-së, Aneta Trajkovska.
Sa i përket asaj se çfarë po ndërmerr MASh pas lëndimit të disa nxënësve në Manastir, pas shikimit të video lojërave “Balena Blu” dhe “Momo”, ministri Ademi tha se MASh seriozisht po ndjek gjendjen në Manastir dhe se nuk ka nevojë për panik, por nevojitet qasje serioze ndaj kësaj problematike me menaxhmentin e shkollave, pedagogë, psikologë, nxënës, për t’u tejkaluar kjo situatë.

Marketing