MASH: Pajisja e sivjetme me tekste shkollore më e lirë, më transparente dhe më cilësore

Ministria e Arsimit dhe Shkencës reagon ndaj kronikës televizive të TV ALFA me titull “Skandali milionësh në arsim – lidhen dy kontrata në katër sy për furnizimin e librave shkollorë”, në të cilën janë dhënë të pavërteta dhe informacione tendencioze për veprime, kinse, antiligjore të Ministrisë dhe Ministrit të Arsimit dhe Shkencës.

Marketing

Me qëllim të informimit objektiv të opinionit theksojmë se dy shtëpitë botuese të përmendura në këtë kronikë televizive, me të cilat Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka lidhur kontrata për blerjen e teksteve shkollore, që prej disa viteve më parë e kanë të drejtën ekskluzive për tekstet shkollore respektive, respektivisht të drejtën autoriale për pjesën më të madhe të teksteve shkollore që janë miratuar për përdorim në shkollat fillore në Republikën e Maqedonisë.

Përndryshe, ky lloj i kontratave në bazë të negociatave është lidhur edhe me 17 shtëpi botuese, të cilat i kanë blerë të drejtat autoriale për tekstet shkollore tjera prej të cilave mësohet në shkollat fillore.

Dallimi i vetëm qëndron në atë se këtë vit gjatë negociatave me shtëpitë botuese, është arritur çmim blerës që është për 40% më i lirë sesa vitet e kaluara për ato tekste shkollore të cilat blihen me tirazh të plotë.

E vërteta është kështu: për këtë vit shkollor, për dallim nga vitet tjera, blerja e teksteve shkollore të nevojshme për nevojat e nxënësve është kryer me çmim më të lirë, kurse njëherësh mundësohet furnizimi i komplet teksteve shkollore të reja për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e tretë – në pajtim me Ligjin për tekstet shkollore për arsimin fillor dhe të mesëm, që deri tani nuk ka qenë praktikë, respektivisht me tirazh të plotë shtypeshin vetëm tekstet shkollore në të cilat kishte përmbajtje ku plotësoheshin me shkrim, ngjyrosje, ngjitje dhe prerje, si dhe tekste shkollore të cilat ishin dëmtuar tërësisht dhe të njëjtat nuk mundej të përdoren.

Procedurat për negociatat dhe kontratat e lidhura janë plotësisht në pajtim me dispozitat juridike pozitive në vend, respektivisht janë në përputhje me Ligjin për furnizime publike, Ligjin për tekstet shkollore për arsimin fillor dhe të mesëm dhe Ligjin për arsimin e mesëm. Ky fakt mund të kontrollohet lehtë nëse autori, respektivisht personi që ka dhënë detyrë të përgatitet kronikë e këtillë televizive, do t’i kishte lexuar dispozitat ligjore.

Nëse mediumi në fjalë apo cilido subjekt tjetër juridik është i interesuar për informacione shtesë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ju qëndron në dispozicion.

Është koha që të respektohen vlerat e mirëfillta dhe të tejkalohet nevoja që edhe gjatë aktiviteteve pozitive doemos të kërkohet të gjendet, kinse, diç negative. Është virtyt të pranohet suksesi.

Marketing