Materialet për kreditë e RTVM-së, në Prokurori

Policia financiare e kompletoi tërë dokumentacionin rreth skandalit me Radiotelevizionin e Maqedonisë, pasi raporti i Komisionit Shtetëror i Revizionit tregoi se bordi ka marrë kredi prej 2,2 milionë euro, me arsyetimin se planifikohen investime. Por, paratë kanë përfunduar për shlyerjen e borxheve. Më tutje lënda zhvendoset në duart e Prokurorisë. Revizioni për vitin 2017 tregoi se RTVM-ja ka marrë kredi me leje të Këshillit programor dhe Këshillit mbikëqyrës të televizionit. Ndonëse Ligji për ndërmarrje publike e obligon që paraprakisht të marrë pëlqim nga Kuvendi, diçka të tillë nuk ka kërkuar. Nën thjerrëz është edhe noteri që e ka vërtetuar marrëveshjen e RTVM-së me bankën, pa leje të Parlamentit. Në mënyrë plotësuese, televizioni shtetëror ka vënë nën hipotekë pasuri me vlerë më të madhe se kredia, e madje kanë paraqitur edhe plan biznesi për investimet e supozuara. Drejtori i Drejtorisë së Policisë Financiare, Arafat Muaremi pyet se si ka planifikuar servisi publik të shlyej borxhin, kur RTVM-ja është jorentabile?

Marketing

Të gjithë inspektorët që ishin të angazhuar për të kontrolluar rreth të gjitha shpërdorimeve të RTVM-së, vepruan. Në çdo kohë së bashku në koordinim me prokurorin publik tashmë do të veprohet dhe besoj se në fund do të kemi hapa konkrete lidhur me atë se për cilat parregullsi bëhet fjalë rreth fushës së veprimit të punës së RTVM-së”-tha Arafat Muaremi – drejtor i Drejtorisë së Policisë Financiare.

Nga Prokuroria shprehen se nuk mund të ndajnë detaje derisa policia financiare nuk e dorëzon formalisht deri te ata lëndën me hetimin e plotë. Fokusi i organeve hetuese tani për tani është në kredinë, ndonëse në raportin revizor për vitin 2017 janë përmendur edhe një varg parregullsish të tjera. Drejtori i RTVM-së Marjan Cvetkovski ka autorizuar një person tjetër për të nënshkruar në vend të tij, me çka revizorët dyshojnë në punën e paligjshme. Revizioni nuk mund të përcaktonte as realizimin e reklamave, meqë nuk ka pasur plan mediatik.

Të dyshimta janë edhe emisionet dokumentare të prodhuar në bashkëproduksion me shtëpi produksioni. Për shembull, vetëm për serialin “Tvërdokorni” i janë paguar thuajse 400 mijë euro produksionit të jashtëm, por sipas evidencës kontabiliste, projektet nuk kanë qenë sipas çmimit real të kostos. Ka munguar edhe pajisje – nuk dihet se kush, si dhe për çfarë qëllimi e ka përdorur. Për të gjitha parregullsitë e konstatuara nga Enti Shtetëror i Revizionit, Alsat në disa raste kërkon përgjigje nga drejtori i RTVM-së Marjan Cvetkovski, por ky i fundit tashmë disa javë heshtë për skandalin. Përveçse në Policinë financiare dhe Prokurorinë, Enti Shtetëror i Revizionit raportin e dërgoi edhe në MPB dhe Kuvend.

ALSAT