MATTO kërkon thjeshtësim të procedurave doganore

Oda ekonomike Maqedoni-Turqi MATTO sot para drejtorit të Drejtorisë Doganore Gjoko Tanasoski i përsëriti kërkesat për liberalizim të Marrëveshjes për tregti të lirë mes dy vendeve në pjesën e prodhimeve bujqësore-ushqimore, për përshpejtimin e procedurave doganore në procedurat tejkufitare, si dhe për liberalizimin e tregtisë me Tunizinë, Marokun dhe Algjerinë, me të cilat Turqia tashmë ka tregti preferenciale në suaza të Konventës rajonale dhe rregullës preferenciale euro-mesdhetare të origjinës.

Marketing

Siç u theksua në takimin që e ka inicuar MATTO, këmbimi tregtar me Turqinë deri në fund të vitit do të rritet, por rritja afatgjate do të varet nga rritja e investimeve turke në Maqedoni.

Drejtori Tanasoski informon se politika doganore është në drejtim të nxitjes së eksportit dhe importit, përkatësisht në rritjen ekonomike përmes lehtësimit të procedurave doganore: vendosjen e promotorit të autorizuar ekonomik, përpunimin elektronik të deklaratave doganore, zvogëlimin e gjobave dhe përmirësimin e infrastrukturës në vendkalimet kufitare Tabanoc, Qafë Thanë dhe Jazhincë.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror për Statistikë në tetë muajt e parë të vitit këmbimi tregtar i Maqedonisë dhe Turqisë arrin 334,34 milionë dollarë, që është 19 për qind më shumë se periudha e njëjtë e vitit të kaluar. Eksporti arrin 63,8 milionë dollarë që është rritje prej 22 për qind, ndërsa importi ka arritur 270,48 milionë ose 18,2 për qind më shumë.

Marketing