Mazhoranca nuk humb kohë, Meta drejt shkarkimit brenda verës, zbardhen emrat e deputetëve të opozitës që vulosën largimin e presidentit

Presidenti Ilir Meta rrezikon të shkarkohet brenda muajit korrik. Të hënën u ngrit komisioni hetimor për të hetuar shkeljet e kreut të shtetit dhe duket se nuk do të humbet kohë me këtë çështje. Edhe pse komisioni ka një afat 3 mujor, pritet që shkarkimi i Metës të mbyllet në korrik. Seanca e fundit plenare në kalendarin e punimeve të Kuvendit është parashikuar në datën 18 korrik, por mazhoranca është duke planifikuar për një seancë të jashtëzakonshme e cila do të mbahet në datën 22 korrik. Por nëse raporti nuk përmbyllet në këtë datë, mund të ketë një seancë të jashtëzakonshme gjatë verës, me gjasë në gusht ose në fillim të shtatorit. Pikërisht nisma e ndërmarrë nga mazhoranca për largimin e Metës, ngjalli dyshime se brenda PS kishte përçarje. Emrat si Fatmir Xhafaj, Ditmir Bushati apo Pandeli Majko nuk bënin pjesë në listën e deputetëve të cilët firmosën listën për shkarkimin e presidentit, duke ngjallur dyshime se ishin në mbrojtje të tij. Por të gjitha këto pretendime të ngritura, u hodhën poshtë gjatë votimit të së hënës, ku emrat e sipërpërmendur votuan pro ngritjes së komisionit hetimor. Pra mund të themi që PS ka qenë e kompletuar në votimin e saj, pasi të gjithë deputetët ishin në unison me njëri tjetrin. Votimi për shkarkimin e presidentit kërkon 94 vota dhe zhvillohet i fshehtë. Por duket se mazhoranca i ka votat e nevojshme, pasi edhe deputetët e opozitës së re të cilët kanë votuar për ngritjen e komisionit hetimor. Emra si Aurora Mara, Ylli Shehu, Nimet Musaj, Korab Lita, Alban Zeneli e disa emra të tjerë janë rreshtuar në krah të PS për këtë vendim. Për këtë votim të paprecedentë në historinë e Shqipërisë, socialistëve do t’i duhen edhe votat e opozitës se re, një pjesë e mirë e të cilës votoi pro ngritjes së Komisionit Hetimor. Megjithëse presidenti Ilir Meta në fund të korrikut mund të marrë statusin si president i shkarkuar nga Parlamenti, vijimi apo jo edhe për dy vite në krye të shtetit do ta vendosë Gjykata Kushtetuese.

Marketing

Reagon Meta

Por pas nismës që ndërmori mazhoranca, ka reaguar presidenti Ilir Meta. Gjatë një interviste ditën e djeshme për të përditshmen greke “Kathimerini”, kreu i shtetit ka dalë kundër nismës të socialistëve, duke u shprehur se për vendimet kushtetuese ka kompetencë për të hetuar vetëm Gjykata Kushtetuese. Duke folur edhe për aktualitetin politik, Meta tha se kushtetuta i ka dhënë autoritet vetëm presidenti për të caktuar datën e zgjedhjeve. “Çdo çështje që lidhet me aktet ose vendimet kushtetuese mund të gjykohet vetëm dhe veçanërisht nga Gjykata Kushtetuese, duke përfshirë këtu edhe dekretin e Presidentit të Republikës për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit 2019, ose përpjekjet politike të shumicës qeverisëse për të shkarkuar Presidentin e Republikës. Kushtetuta jonë është jashtëzakonisht e qartë në përcaktimin e Presidentit të Republikës si autoriteti i vetëm shtetëror që gëzon të drejtën për të dekretuar datën e zgjedhjeve dhe Gjykatën Kushtetuese si autoriteti i vetëm me kompetencë për të gjykuar kushtetutshmërinë e një akti kushtetues”, u shpreh Ilir Meta.

Përplasjet Rama-Meta

Po ashtu kreu i shtetit foli edhe për përplasjet mes tij dhe kryeministrit Edi Rama. Meta tha se ka qenë i hapur jo vetëm me kryeministrin, por edhe me aktorët politikë. “Në Shqipëri sot ka vetëm një konflikt madhor. Është konflikti mes kryeministrit dhe shtetit të së drejtës, demokracisë dhe pluralizmit politik. Ky është “nëna” e të gjitha konflikteve të tjera. Unë kam qenë gjithmonë shumë i hapur dhe bashkëpunues me kryeministrin, me të gjitha institucionet shtetërore dhe aktorët politikë për të nxitur një qasje pozitive dhe konstruktive politike për t’u përqendruar në reformat e integrimit, si përparësi kryesore për vendin tonë”, u shpreh presidenti Ilir Meta.

Marketing