Bota tashmë ka arritue shifrën e 1 milion të infektuarve nga koronavirusi, ndërsa viktimat janë mbi 51 000. Europa regjistron numrin më të lartë të vdekjeve, me Italinë në krye të listës, e ndjekur nga Spanja dhe Shtetet e Bashkuara.

Përshkallëzimi i pandemisë dhe përhapja e shpejtë globale shqetëson Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

“Ndërsa hyjmë në muajin e katërt që prej shpërthimit të pandemisë, jam thellësisht i shqetësuar për përshkallëzimin e shpejtë dhe përhapjen globale të virusit. Përgjatë 5 javëve të fundit ne kemi dëshmuar rritje të madhe të numrit të rasteve, përhapje në gati çdo vend, territor apo zonë. Numri i viktimave është më shumë se dyfishuar javën e fundit”, tha Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtor i përgjithshëm i OBSH-së.

Kreu i OBSH-së bëri thirrje që më shumë ndihma të orientohen nga shtetet në zhvillim, përfshirë ato në Afrikë dhe Amerikën e Jugut, ku siç tha ai, Covid-19 mund të këtë pasojë serioze sociale, ekonomike dhe politike.