Mbi 1,45 milionë të infektuar me virusin korona në botë, te ne 617

Në botë deri më tani janë regjistruar mbi 1,45 milionë persona të infektuar me virusin korona prej të cilëve kanë ndërruar jetë më shumë se 83,5 mijë, ndërsa janë shëruar gati 310 mijë. Te ne, me 18 pacientët e djeshëm të sapo infektuar, numri i përgjithshëm arriti në 617, ndërsa numri i të vdekurve u rrit në 30 pasi dje humbën jetë tre persona të rinj në mesin e të cilëve edhe lehona 27-vjeçare nga Kumanova e cila është pacientja më ere e vdekur deri më tani në vendin tonë nga Kovid-19. Deri më tani janë shëruar 37 persona.

Marketing

Prej 18 pacientëve të saporegjistruar të infektuar me Kovid-19, shtatë janë nga Shkupi,katër nga Prilepi, dy nga Kumanova dhe Manastiri, dhe nga një nga Kavadari, Krusheva dhe Koçani. Rreth 72 prej 617 pacientëve janë punonjës mjekësorë.

Sipas vendbanimit, deri më tani me Kovid-19 janë regjistruar në: Shkup – 261, Kumanovë – 130, Dibër – 49, Shtip – 20, Prilep – 38, Tetovë – 29, Strugë – 28, Veles, – 10, Manastir – 8, Ohër – 3, Kavadar – 3, Gostivar – 4, Gjevgjeli – 4, Strumicë – 2, Kriva Pallankë – 3, Radovish – 4, Krushevë – 3 dhe Koçan – 18.

Në Klinikën Infektive janë pranuar katër pacientë të rinj ndërsa për momentin janë hospitalizuar rreth 66 pacientë, prej të cilëve shtatë pacientë janë në ventilim mekanik. Në spitalin “8 Shtatori” janë pranuar katër pacientë të dyshimtë me koronavirus. Numri i përgjithshëm i personave pozitivë dhe të dyshimtë me Kovid-19 në këtë spital është 26 pacientë, ndërsa tre pacientë janë në makinë respiratore. Në spitalin në Shtip, siç kumtoi Ministria, nuk ka pacientë të rinj të pranuar. Për momentin janë hospitalizuar katër pacientë, prej të cilëve një pacient me pasqyrë klinike të mesme nga e rënda me prenumoni dhe tre stabil. Në spitalin në Manastir gjithashtu nuk janë pranuar pacientë të rinj. Për momentin katër pacientë të cilët janë të hospitalizuar janë stabil.

Gjatë 24 orëve të kaluara janë bërë 351 teste. Prej tyre përmes ISHP-185, përmes Fakultetit të Veterinarisë-19, Avicenë-22, Biotek-25 dhe Filipi i Dytë (Zhan Mitrev) -100. Deri më tani në vend janë bërë 6.230 testime të Kovid-19.

Turqia dje pasdite me aeroplan të armatës turke vendit tonë i solli ndihmë prej 50.000 copë maska mbrojtëse mjekësore, 1.000 skafanderë mbrojtëse, 1.000 teste diagnostikimi dhe material tjetër mjekësor.

Dje hynë në fuqi edhe mast e reja qeveritare, që parashohin ndalesë të lëvizjes për të gjithë qytetarët në nivel të gjithë territorit, çdo ditë pune, nga e hëna deri të premten, prej orës 16:00 deri në orën 05:00 të ditës së ardhshme, ndërsa nga e fundjava që vjen në gjithë territorin e vendit do të vendoset orë policore nga të premtes në orën 16:00 deri të hënën në orën 05:00.