Mbi 2 mijë raste ditore në Greqi, qeveria forcon masat

Greqia ka shënuar këtë të shtunë, mbi 2 mijë raste të reja infektimi me COVID-19 dhe 6 viktima. Këto shifra konfimojnë edhe njëherë trendin shqetësues që ka marrë pandemia në vendin fqinj gjatë muajve shtator – tetor.

Marketing

Për këtë arsye, qeveria e Athinës ka vendosur të shtrijë edhe më shumë masat për parandalimin e koronavirusit.

Masat parashikojnë ndalimin e aktiviteteve sportive në Atikë, mbylljen e restoranteve, mbajtjen e maskës me detyrim në ambiente të hapura dhe të mbyllura.

Kufizimi i trafikut nga mesnata deri në orën 05:00 të mëngjesit do të shtrihet në të gjithë vendin, ndërkohë që do të përjashtohen lëvizjet për punë dhe arsye shëndetësore.  Në strukturat sociale do të pezullohen vizitat, ndërkohë që dyqanet, parukeritë, hotelet dhe shkollat do të vijojnë të qëndrojnë të hapura. Ndeshjet sportive dhe stërvitjet do të zhvillohen pa tifozë ndërkohë që stafi do të punojë me një kapacitet prej 75%.

Në vendet arkeologjike distanca mes vizitorëve do duhet të jetë 1.5 metra, ndërsa turnetë që zhvillohen në grupe duhet të ruajnë një distancë prej dy metrash. Në çdo palestër stafi do të jetë i pajisur me maskë, ndërsa klientët duhet të qëndrojnë në distancë nga njëri-tjetri. Në gjykata do të lejohen deri në 30 persona në sallën e gjyqit në zonat me pak risk, ndërkohë që në ato me më shumë shifra të infektuarish do të zbatohet një protokoll strikt.

Në zonat A (me pak risk) panairet tregtare duhet të funksionojnë me kapacitet të përgjysmuar, ndërsa në zonat  B (me shumë risk), do të pezullohen krejtësisht.  Transporti publik duhet të funksionojë me një kapacitet prej 65%, ndërsa në taksi do të lejohen deri në dy pasagjerë.  Në spitale, një mjek do i shërbejë vetëm një pacienti brenda një kohe të caktuar deri sa të marrë kohë të dezinfektuar duart dhe sendet e punës, ndërsa numri i operacioneve do të kufizohet.

Dyqanet ushqimore do ruajnë një distancë mes klientëve, ndërkohë që do të dezinfektohen vazhdimisht karrocat  për mbajtjen e ushqimeve.  Në bare dhe klubet e natës, në një tryezë nuk do të lejohen më shumë se 6 persona. Përdorimi i maskës është i detyrueshëm për stafin i cili do të punojë me orë të reduktuara.  Biletat për kinematë do të rezervohen në mënyrë elektronike në zonat me pak risk, ndërsa në ato me shifra të larta të infektuarish do të jenë të pezulluara./

Marketing