Mbi 7 orë pritje në kufirin Kosovë – Serbi

Emigrantët, por edhe ata që mund të jenë duke shkuar apo kthyer nga pushimet do ju duhet të presin deri në 7 orë në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë.

Kolona ka arritur deri në 2 kilometra për të dalë nga Kosova, ndërsa për të hyrë në Kosovë pritjet janë deri në një orë. Kjo po ndodh në pikën kufitare në Merdare.

Hiq më mirë nuk është gjendja në pikën kufitare në Jarinje. Pritjet për të dalë nga Kosova janë deri në 4 orë, ndërsa kolona një kilometërshe.

Në pikën kufitarë në Mutivodë, pritja është deri në tri orë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, një ditë më parë, ka akuzuar palën serbe për kolonat dhe vonesat me orë të tëra në vendkalimet kufitare me Serbinë.

Ai gjatë vizitës që bërë në pikën kufitare në Merdare tha se kolonat e krijuara me këtë rast vijnë si rezultat i palës serbe, e cila nuk respekton marrëveshjet e Brukselit.

U bëri apel bashkatdhetarëve që të shfrytëzojnë edhe pikat e tjera të kalimit kufitar në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe potencoi se Policia e Kosovës dhe Dogana e Kosovës, janë të mobilizuara në zbatimin e detyrave dhe përgjegjësive në të gjitha pikat e kalimit kufitar me Serbinë dhe vendet tjera.

Kjo gjendje, me kolona dhe pritje të gjata, ndodh që shumë vite në Kosovë. Është me e theksuar në kohën kur bashkatdhetarët përfundojnë pushimet dhe nisen për në vendet ku jetojnë.