Mbi 85 për qind e nxënësve kyçen në mësimin online

Mësimi në distancë ka filluar të impelementohet edhe në shkollat fillore dhe ato të mesme të Tetovës. Ndonëse ka vështirësi për këtë lloj mësimi, megjithatë nga sektori për arsim në Komunën e Tetovës thonë se mësimdhënësit vite me radhë janë trajnuar për këtë formë të mësimit.“Që nga dita kur u soll vendimi për ndërprerje të procesit edukativo-arsimor, u dhamë instruksione të gjitha shkollave fillore dhe të mesme që të praktikojnë format e mësimit në distancë. Në lidhje me këtë, vite me radhë mësimdhënësit kanë qenë të trajnuar për shfrytëzimin e programeve të ndryshme të mësimit online apo në distancë, ndërsa deri më tani i shfrytëzonim këto metoda si forma shtesë të procesit të mësimdhënies kurse tani erdhi koha që në këto momente të vështira, të vendosen në përdorim si formë primare të procesit të mësimdhënies. Që nga dita e parë, në ftesën tonë u përgjigjën mësimdhënësit, i krijuan grupet e komunikimit dhe filluan mësimin në distancë. Menjëherë me stafin profesional të sektorit për arsim, drejtoritë e shkollave dhe shërbimet pedagogjike-profesionale punuan në krijimin e një sistemi të mësimdhënies dhe të gjithë aktivet mësimore përpiluan plan të veprimit ku në bazë ditore dhe javore jepeshin instruksione dhe bëhej ndjekja e realizimit të së njëjtës. Vlen të theksohet se një numër i konsiderueshëm i mësimdhënësve të qytetit u inkuadruan në E-klasa si dhe përgatitën dhe janë në fazë të përgatitjes së njësive mësimore për platformën digjitale të krijuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës”, deklaroi për gazetën Koha, Ahmed Qazimi, udhëheqës i Sektorit të arsimit në Komunën e Tetovës.

Marketing

Por, edhe krahas përgatitjeve për mësimin online, megjithatë hasen edhe vështirësi të ndryshme pasi që ka familje të cilët janë në gjendje të rëndë sociale dhe nuk posedojnë kompjuterë për të ndjekur mësimin në distancë. “Mbi 85 për qind e nxënësve u kyçën në mësimin në distancë dhe tani kjo shifër është akoma më e madhe. Sigurisht që aplikimi i ka vështirësitë e veta, pikë së pari këtu bëjnë pjesë nxënësit dhe familjet sociale që nuk kanë kompjuterë, apo smart celularë si dhe nuk kanë kyçje të internetit në shtëpitë e tyre. Në disa fshatra të malësisë paraqitet problemi me rrjetin e dobët, kurse në familjet me më shumë fëmijë-nxënës si dhe prind mësimdhënës paraqitet problemi i frekuencës apo prioritetit të shfrytëzimit të internetit dhe kompjuterit”, thekson ai.

Por jo vetëm nxënësit kanë probleme, sepse probleme hasen edhe tek mësimdhënësit në moshë që e kanë më vështirë përdorimin e kompjuterëve.

“Mësimdhënësit që janë para pensionit kanë vështirësi në implementimin e kësaj forme të mësimdhënies. Mundohemi që në këto raste të angazhojmë kolegët më të ri që t`ju ndihmojnë, që edhe ata të jenë pjesë e këtij angazhimi gjithëpërfshirës në këto momente krize. Shpresojmë që sa ma shpejtë të tejkalohet situata, nxënësit dhe mësimdhënësit të kthehen në shkollë. Deri atëherë do të qëndrojmë në shtëpi dhe duhet t’i respektojmë udhëzimet e autoriteteve”, tha Ahmed Qazimi, udhëheqës i Sektorit për Arsim në Komunën e Tetovës. Edhe në komunat tjera mësimi në distancë ka filluar, por edhe atje hasen shumë vështirësi të natyrave të ndryshme. (koha.mk)

Marketing