Mbyllen hetimet: Policja që vrau gjithë familjen ka vuajtur nga çrregullimi paranoid

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka mbyllur hetimet për vdekjet e dyshimta të anëtarëve të familjes Bllaca, në Gjilan.

Marketing

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në muajin shkurt të këtij viti  në qytetin e Gjilanit në Kosovë, ku një police ka qëlluar me armë dy prindërit, dy vëllezërit dhe më pas veten e saj. Autorja e kësaj tragjedie në Gjilan është Valdete Bllaca  e cila në kushte të rënduara psikologjike ka qëlluar mbi familjarët e saj duke i lënë të vdekur në vend.

Prokuroria në Gjilan njofton, se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka zhvilluar veprime hetimore intensive, me ç’rast nga të gjitha veprimet e ndërmarra është vërtetuar se vrasjet e anëtarëve të familjes Bllaca, nuk janë shkaktuar nga veprimet inkriminuese të personave tjerë, qoftë me shtytje, ndihmë ose bashkëkryerje.

Sipas raporteve të autopsisë, të gjitha vdekjet janë të dhunshme, të cilat kanë ardhur si pasojë e plagëve të shkaktuara nga arma e zjarrit.

Nga Instituti i Psikiatrisë Forenzike është kërkuar ekspertizë për gjendjen e tani të ndjerës V.B., sipas së cilës është konstatuar se e ndjera ka vuajtur nga çrregullimi i personalitetit paranoid, prandaj edhe nuk i është lejuar mbajtja e armës dhe i është rekomanduar ndërrimi i vendit të punës.

Se e ndjera V.B., me armë zyrtare ka kryer vrasjet e familjarëve dhe më pas ka kryer vetëvrasjen vërtetohet nga deklaratat e dëshmitarëve, ekzaminimet e dëshmive nga vendi i ngjarjes, raportet e autopsive, ekzaminimet e telefonave, ekzaminimet e dorëshkrimeve, ekzaminimet e raporteve mjekësore, raportet e këqyrjes së vendit të ngjarjes, video incizimet dhe nga prova të tjera të siguruara nga prokurori i shtetit.

kujtojmë, se në këtë tragjedi të rëndë ka mbetur i vrarë Zeqir Bllaca, 70 vjeçar, Hanife Bllaca 66 vjeçare, Blerim Bllaca 43 vjeçar, Fisnik Bllaca 34 vjeçar dhe vetë dorasja Valdete Bllaca, 45 vjeçare.