Mbyllen të gjitha shitoret në veri të Mitrovicës

Shitoret në veri të Mitrovicës janë të mbyllura, që nga mëngjesi i ditës së hënë.

Marketing

Në shenjë solidarizimi, nuk punojnë as kafenetë, pompat e derivateve dhe taksitë, raporton agjencia Beta.

Shtatë muaj pasi qeveria e Kosovës vendosi një taksë prej 100 për qind, për mallrat nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, Mitrovica e Veriut thotë se nuk ka më mallra për shitje, veçanërisht produktet e qumështit, miellit, vajit si dhe produkte tjera.

“Taksat mbi mallrat serbe e bëjnë të pamundur funksionimin e duhur dhe për këtë arsye ne kërkojmë që ato të shfuqizohen sa më parë”, u tha gazetarëve Radosh Petroviq, përfaqësues i afaristëve të veriut.

Ai nuk bëri të ditur se deri kur do të jenë të mbyllura dyqanet, duke thënë se “kjo varet nga situata në terren”, transmeton REL.

Siç tha ai, furrat e bukës do të punojnë me kapacitet të reduktuar dhe buka do të dorëzohet vetëm në spital, në Qendrën e Studentëve dhe në kopshte.

Autoritetet serbe kanë thënë vazhdimisht se veriu është i kërcënuar nga një “katastrofë humanitare”, ndërsa zyrtarët në Prishtinë kanë thënë se ky është vetëm inskenim i një krize humanitare.

Në periudhën e fundit autoritetet e Kosovës kanë rritur kontrollin mbi kalimet alternative, të paligjshme, midis Kosovës dhe Serbisë, të cilat përdoreshin për të transportuar mallrat serbe.

Marketing