Mbyllet ordinanca e vetme gjinekologjike në Shutkë

“Nga 22 Janari, ordinanca gjinekologjike në Shutkë ka mbyllur dyert e saj, duke pushuar kështu së dhëni shërbime gjinekologjike grave të kësaj Komune”.

Marketing

Të paktën 22 Janari, është data e shkruar në njoftimin zyrtar, i cili është i ngjitur në hyrjen e ordinancës, megjithëse banorët e Shutkës thonë se ordinanca është e mbyllur më shumë se një jave.

“Nuk punojnë që moti. Ka një javë – dy që nuk punojnë. Nuk punon as shërbimi kujdestar, e transferuan në “8 shtatori”. A ju informoi dikush se do tërhiqet ordinanca? Jo, jo askush, kur shkuam atje, ishte mbyllur. Ku të shkojmë ne? Ku të ankohemi? Tani ku i kryeni kontrollet? Në mjek amë shkojmë, gjinekolog nuk kemi. Shkojmë deri në Çair pasi këtu nuk kemi”.

“Po shkruante se është mbyllur. A ju informoi dikush se do të mbyllet? Shkruante në rrjetet sociale. Momentalisht gruaja ime kontrollet atje poshtë, këtu nuk ka”.

“Nuk e dija se është mbyllur”.

Gjinekologia pasi ka mbyllur ordinancën në Shutkë atë e ka hapur në Hasanbeg. Ekipi i televizionit ALSAT vizitoi Hasanbegun, për të pyetur mjeken për arsyet e këtij transferimi.

“Ekipi i ALSAT u dëbua pa asnjë shpjegim se me vendim të kujt dhe për çfarë arsye ordinanca gjinekologjike në Shutkë është mbyllur për tu transferuar në Hasanbeg”.

Mirdita përshëndetje. Doktoresha Vjollca Mbiarra a është këtu?
-Nuk jap informacione, pyetni në Ministri, nuk do të jap informacion, se me këtë gazetari…

Gratë në Shutkë janë shumë të shqetësuara mendojnë se nuk do ktheheni më atje, kush do i kontrollojë ato?
-Nuk do jap intervista…

Përse jeni transferuar?

-Nuk jap informacion…

Ne si publik duhet ta dimë, publiku është i interesuar ta dijë. Me vendimin e kujt jeni transferuar?

-Ju lutem asnjë informacion, kaq është…

Alsat drejtoi pyetje në ministrinë e Shëndetësisë për të pyetur nëse vendimi ka qenë i tyre për transferimin e ordinancës. Ministri tha se gjinekologia ka vendosur vetë për këtë çështje meqë është koncesionare e ordinancës, ndërkohë që u zotua se për një kohë të shkurtër dikasteri i Shëndetësisë do të gjejë zgjidhje afatgjate për këtë problem.

Ndryshe, mbi 40,000 banorët e Shutkës për vite me radhë janë përballur me mungesën e gjinekologëve amë, ndërkaq gjinekologia Vjollca Mbiarra nga Shqipëria u angazhua në këtë ordinancë para rreth 3 vitesh. Vdekshmëria e foshnjave tek popullata rome është shumë më e lartë krahasuar me përkatësitë e tjera etnike, fenomen i cili llogaritet se vjen nga mos kujdesi adekuat shëndetësorë gjatë shtatzënisë deri në lindjen e foshnjave./ALSAT/

Marketing