Me produktivitetin, të rriten edhe pagat

Maqedonia duhet që njëherë e përgjithmonë të braktis konceptin e fuqisë punëtore të lirë për investitorët e huaj, ndërsa nevojitet të orientohet në tërheqjen e investimeve të huaja me vlerë të shtuar që do të ofrojnë edhe paga më të larta. Kështu vlerëson Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, ndërsa kërkon edhe masa për rritjen e produktivitetit që do të sjellin rritje të pagave edhe në biznesin vendor, shkruan gazeta KOHA.

Marketing

“Si shtet nevojitet që definitivisht të përmbyllim mitin se ofrojmë fuqi të lirë punëtore që do të joshë të huajt të investojnë tek ne. Nevojitet që si ekonomi nacionale, të orientohemi në sektorë ekonomik që do të punësojmë fuqi punëtore mirë të paguar në industritë me vlertë të shtuar nga ana e investitorëve. Edhe tek biznesi vendor nevojitet që me masa të ndryshme, të rritet produktiviteti që në fund do të sjellë edhe rritjen e nivelit të pagave në shtet”, thotë Milaim Ahmeti, drejtor operativ në OEVPM.

Lidhur me debatet e ndryshme në opinion për rritjen e mëtejshme të pagës minimale nga 12 mijë denarë e më lartë, në OEMVP thonë se si asociacion biznesi, çdoherë kanë përkrahur dhe përkrahin rritjen e pagës si minimale ashtu edhe atë mesatare. “OEMVP vlerëson se paga minimale në Maqedoninë Veriore duhet të rritet, megjithatë në parim nevojitet që ti ofrohet kohë e nevojshme biznesit që të adaptohet ndaj ndryshimeve të reja. Pra, biznesi duhet të ketë një kornizë kohore, për shembull, prej 6 apo 12 muaj, që të dijë sa dhe kur do të rritet paga minimale”, shton më tej Ahmeti.
Sipas tij, si është jofalënderuese të licitohet me shumën e rritje së pagës minimale, për shkak se ajo varet nga më shumë faktorë. Megjithatë, shton më tej Ahmeti, si koncept bazë për rritjen e pagave mbështesin ekonominë e orientuar në vendet e reja të punës që do të krijojnë vlerë më të lartë të shtuar dhe orientimin e prodhimtarisë ndaj prodhimeve me finalizim më të lartë të orientuar ndaj eksportit që nesër – nuk do të paraqesë problem edhe të rrisë më tej pagat në shtet.

Në ndërkohë, ekonomistët thonë se nevojitet një analizë serioze se sa si shtet kemi mundësi të rrisim sivjet pagën minimale në së paku 13 mijë denarë, e që në të njëjtën kohë të mos i shkaktojë kokëdhimbje dhe telashe bizneseve në punën e tyre të përditshme.

Gjithashtu, edhe institucionet e ndryshme financiare botërore, por edhe nga përfaqësues të investitorëve të huaj në vend është bërë e ditur se duhet pasur kujdes me rritjen eventuale të pagës minimale përgjatë këtij viti. Nga Oda Ekonomike Gjermane në shtet thonë se sipas hulumtimeve të tyre, ligji i ri për pagën minimale do të ulë atraktivitetin e shtetit për shkak se kompanitë do të ballafaqohen me harxhime shtesë që paraprakisht nuk janë planifikuar në buxhetet e tyre.

Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë vlerësojnë se ekziston hapësirë për rritjen e pagës minimale që aktualisht ka vlerën prej 12.165 denarë, ndërsa përllogaritjet e tyre tregojnë se ajo duhet të rritet për së paku 12 për qind.

“Udhëzojmë se në kushtet kur shporta minimale sindikale për muajin janar të vitit 2019 është 32.761 denarë, ndërsa vetëm vetëm harxhimi për ushqim është 13.621 denarë, ekziston nevojë reale për rritjen e pagës minimale që sipas rekomandimeve evropiane dhe tendencave, duhet të jetë në nivelin e 60 për qind të pagës mesatare në shtet”, thonë nga LSM. Kohë më parë, ministri i Financave, Dragan Tevdovski, tha se do të ketë rritje të pagës minimale, ndërsa shtoi se në rrjedhë e sipër janë konsultimet se sa do të jetë rritja e kësaj page.

“Rrogat duhet të rriten për shkak se pjesa më e madhe e qytetarëve jetojnë nga pagat dhe jo nga dividendat, dhënia me qira e patundshmërive dhe të ardhurave të ngjashme”, shton Tevdovski. Sipas tij, edhe rritja e mëparshme dha rezultate pozitive. “Mendoj se edhe atëherë në opinion ekzistonte frika se do të ketë lëshime nga puna dhe ulje të punësimit, mirëpo kjo absolutisht nuk ndodhi. Bile, u rrit punësimi”, thotë Tevdovski.

Ndryshe, Ligji për pagën minimale zbatohet nga një janari i vitit 2012, kur u përcaktua minimumi prej 8050 denarë. Shuma rritet për çdo vit dhe paraqet afër 40 për qind të rrogës bruto mesatare të realizuar në vitin paraprak. Në vitin 2015 ajo ishte 9600 denarë, ndërsa në vitin 2017 kjo shumë u rrit në 10.800 denarë . Njëherësh, ekzekutivi i ri rriti pagën minimale fillimisht në 12 mijë denarë, ndërsa deri në vitin 2020 ajo pritet të rritet në 16 mijë denarë. (koha.mk)