Më shumë se gjysma e anëtareve e kanë ratifikuar Protokollin për NATO

Me ratifikimin e fundit të Protokollit për anëtarësim, i cili ndodhi dje në Bundestagun gjerman, 16 nga 29 vendet anëtare e kanë zyrtarizuar qasjen e Maqedonisë së Veriut në aleancën më të madhe ushtarake-politike në botë.

Marketing

Gjermania është shteti i 16-të, i cili e ka ratifikuar Protokollin, ndërsa autoritetet në vend, por edhe përfaqësuesit e lartë të Aleancës shpresojnë se tërë procesi do të përfundojë deri në dhjetor, kur mbahet Samiti i NATO-s në Londër. Në Samitin e dhjetorit, Aleanca e shënon 70-vjetorin, e kjo konsiderohet mundësi e mirë që Maqedonia e Veriut të bëhet anëtarja e 30-të. Megjithatë nëse procedura nuk përfundon deri atëherë, pritjet janë që vendi edhe zyrtarisht të bëhet pjesë e NATO-s dhe të merr pjesë në procesin e marrjes së vendimeve politike në fillim të vitit të ardhshëm.

Qeveria e Gjermanisë në shpjegimin e Protokollit më 6 shkurt të vitit 2019 shpreh bindje se anëtarësimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut drejtë NATO-s do të nënkuptojë kontribut drejt sigurisë dhe stabilitetit në hapësirën euroatlantike.

Ratifikimin për anëtarësimin e kundërshtuan Alternativa populiste për Gjermaninë (AFD) dhe e Majta, informon Dojçe vele. Petër Bistron nga AFD e uroi vendin për mbylljen e Rutës ballanike për refugjatët në vitin 2016, por tha se partia e tij do të votojë kundër anëtarësimit në NATO sepse ka “problem të madh me korrupsionin”, ndërsa Ballkani është vetëm periferi e Evropës”.

Aleksandër Noj nga e Majta kundërshtoi zgjerimin e NATO-s dhe e kritikoi “Qeverinë properëndimore në Maqedoni se gabimisht e ka interpretuar referendumin për ndryshimin e emrit”. Noj gjatë gjithë kohës e përdorte termin “Maqedonia” për çka u përlesh me një deputet me origjinë greke në Bundestag.

Protokollin pardje e ratifikoi edhe Parlamenti i Norvegjisë, ndërsa ministri norvegjez i Punëve të Jashtme Eriksen Soreide këtë informatë e ndau në Tuiterin e MPJ-së norvegjeze.

“Hap i rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë. Në pritje ta shohim Maqedoninë e Veriut si fqinje e Norvegjisë në tryezën e Këshillit veriatlantik”, shkroi ai në Tuiter.

Ambasadorët e 29 vendeve anëtare më 6 shkurt në selinë e NATO-s e kanë nënshkruar Protokollin për anëtarësim, ndërsa e para e ka ratifikuar Greqia. Pritjet janë që këtë muaj Protokolli të hyjë në procedurë edhe në SHBA.

Mes vendeve që duhet ta ratifikojnë është edhe Turqia, ndërsa në opinion u paraqitën dyshime se ky vend mund të kalkulojë me Protokollin për shkak të pranisë së FETO-s në shtet. Ministri i Mbrojtjes kombëtare të Turqisë, Hulusi Akar gjatë vizitës së paradokohshme në vend paralajmëroi se strukturat e FETO-s, që funksionojnë në vend u dëmtojnë marrëdhënieve bilaterale. Ai ka shprehur besim në institucionet e vendit dhe shpresë se do të ndërmerren masa për çlirimin nga, siç tha, strukturat terroriste.

Ndërkaq, kryeministri Zoran Zaev gjatë vizitës së sekretar]it të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili këtë javë ishte në vend, i shoqëruar nga trupi më i lartë për marrjen e vendimeve politike në Aleancë – Këshillin veriatlantik, tha se Turqia është një nga miqtë tanë më të mëdhenj, ndërsa pritjet e tyre janë kur të përfundojnë të gjitha proceset zgjedhore politike, ta fillojnë procedurën për ratifikim.

Ai në konferencë të përbashkët për shtyp me Stoltenbergun iu referua deklaratës së nënkryetarit të Qeverisë turke se ata do të vazhdojnë me përkrahje të vendit tonë dhe në afatin sa më të shkurtë të mundur, do ta ratifikojnë këtë protokoll.

Njeriu i parë i NATO-s potencoi se Protokolli u ratifikua me ritëm të përshpejtuar, ndërsa Maqedonia e Veriut veçmë është pjesë e familjes transatlantike. Ai shtoi se anëtarësimi duhet vetëm të formalizohet pas ratifikimit të këtij dokumenti nga ana e vendeve anëtare, pas çka vendi edhe zyrtarisht do të mund të marrë pjesë në procesin e marrjes së vendimeve. .

Marketing