Medai Shaholli: Vija e kuqe!

Shkruan:

Marketing

Liderët e subjekteve politike shqiptare prej tri dekadash kanë bërë një marrëveshje me kampin sllavo-maqedon në lidhje me statusin politik të shqiptarëve, ku ata nuk do kërkojnë ndryshime kushtetuese dhe barazinë e plotë mes dy popujve shumicë në këtë tokë të Arbërit.

Subjektet politike shqiptare i ”kanë dhënë besën e shqiptarit” kampit tjetër që ka pushtetin se, nuk do të kërkojnë ndryshime dhe hapje të kushtetutës për të arritur barazinë e plotë dhe statusin politik të barabartë me ”superiorët” e kampit tjetër, me kusht që ato do të marrin kockat që do t’i ndaj qeveria për ta.

Dhe ja për tri dekada me radhë partiçkat tona po e respektojnë vijën e kuqe të përcaktuar më parë nga pushteti, i kapur me ndihmën e puthadorëve shqiptarë duke ia lënë atyre të gjitha pushtetet.

Një rast i papërsëritshëm ka qënë vitin e kaluar pikërisht më 11 janar, kur subjektet tona politike në vend të kërkonin si kusht për miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe Marrëveshjes së Presës, fshirjen e 20% për shqiptarët si nen denigrues në kushtetutë dhe të sanksionohej me nen statusi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare po aty, ata u shitën te Zajko për miliona euro, duke nënshkruar skllavërinë e re si popull nomad pa identitet dhe pa gjuhë që bredh në këto anë.

Kjo është vija e kuqe që ndan shqiptarët me sllavo-maqedonët përmes supremacisë së tyre me pushtetin e gjithëfuqishëm që fyen dhe e trajton gjysmën tjetër të një populli autokton si popull i 20% pa gjuhë dhe pa identitet.

Në fushatën zgjedhore që do të hapet së shpejti çështja e statusit dhe e 20%, do të ngelet temë tabu për partiçkat tona politike sepse pikërisht kjo është vija e kuqe ku ata janë marrë vesh të mos e diskutojnë trajtojnë, pasi ajo prish balancat për vazhdimësinë e mbajtjes së pushtetit me çdo kusht nga ana e kampit superior sllavo-maqedonas.