Së paku rreth 200 punësime nevojiten për momentin, në mënyrë që të kemi shërbim cilësor shëndetësor. Në shtator do të ketë konkurs për punësim të personelit mjekësor, theksoi drejtori i Shtëpisë së shëndetit Shkup, Zllate mehmedoviq, në intervistën e së dielës për Radion Evropa e Lirë.

Ai thekson se kanë mungesë të mjekëve, por edhe personelit tjetër mjekësor, siç janë infermieret, teknikët laborantë, teknologët e rentgenit, teknik farmaceutik, farmacistët, inxhinierët e diplomuar të biokimisë…

Punësimet në fazë të parë, thekson, do t’i mbulojnë të gjitha vrimat të cilat janë krijuar viteve të kaluara me ikjen e kuadrit mjekësor nga Shtëpia e shëndetit Shkup dhe në atë mënyrë do t’i mbulojmë vetëm ato nevoja iniciale të shtëpisë.

Lidhur me atë se çfarë plane kanë me Ndihmën e shpejtë mjekësore (NSHM) ai potencon se duke pasur parasysh se funksionon me rreth dhjetë automjete dhe ekipe të pakësuara, nevojitet që ajo të sendërtohet edhe teknikisht, edhe me kuadër, në mënyrë që të mund të funksionojë më mirë.
Theksoi se planifikojnë të formohet një qendër e vetme e NSHM-së e cila do të bëjë mbledhjen e thirrjeve nga e tërë Maqedonia dhe më pas varësisht nga ajo se ku ndodhen ekipet dispeçere do ta dërgojnë NSHM në terren.

Ai tha se edhe në shërbimin e patronazhit kanë mungesë të kuadrit, por, tha, më alarmante është situata në ekipet preventive të cilat janë prëgjegjëse për imunizim, pothuajse janë përgjysmuar dhe në vend se të ketë 28 ekipe shkollore dhe 27 parashkollore në territorin e Qytetit të Shkupit, kemi 16 ekipe shkollore dhe 15 parashkollore.

“Vizita shtëpiake gjithashtu ka probleme në mënyrën e funksionimit dhe këtu duhet të bëhet riorganizim. Për të gjithë mjekët dhe personelin ndihmës mjekësor nevojitet të korrigjohet koeficienti i rrogës”, shtoi Mehmedoviq.