Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi, sot në Bruksel në kuadër të vizitës së tij dyditore në zyrat e Komisionit Evropian realizoi takim me Komisionarin për Politikat e Fqinjësisë dhe Zgjerim të Bashkimit Evropian, Johanes Hahn.

Në këtë takim u bisedua për zhvillimet politike në Maqedoni, për proceset integruese dhe hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian.

Në takim kryetari Thaçi e vlerësoi si shumë pozitiv arritjen e marrëveshjes për kontestin e emrit me Greqinë që e hap rrugën e integrimit të vendit në strukturat Euro-atlantike dheqë do të ndihmojë në konsolidimin e paqes dhe stabilitetit në gjithë Ballkanin Perëndimor.

Kryetari Thaçi e informoi Komisionarin Han se Qeveria e re ku tani më merr pjesë aktive edhe PDSH po bën hapa drejt një angazhimi serioz në zbatimin e reformave, kthimit të sistemit frenim-balancim, përforcimit të demokracisë, si dhe sundimit të së drejtës.

Duke e vlerësuar këtë periudhë si shumë të rëndësishme për integrimet euro-atlantike të vendit, Kryetari Thaçi kërkoi mbështetje të plotë nga BE dhe hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë në BE, duke theksuar se hapja e kapitujve 23 dhe 24 do të jetë ndihmesë e madhe në reformat në gjyqësor dhe sigurinë në Maqedoni.

Kryetari Thaçi e falënderoi Komisionarin Han për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme që Bashkimi Evropian ja jep Maqedonisë, si dhe e siguroi Komisionarin se PDSH do të jep përkrahjen e saj të plotë reformave dhe proceseve integruese të vendit. 

Artikulli paraprakDybala zbulon çfarë do të bëjë Argjentina për Messin
Artikulli tjetërTë rinjtë zviceranë më pak të interesuar për leje të vozitjes