Menduh Thaçi: Të gjithë të përkrahim Hashim Thaçin

Lideri i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, ka komentuar deklaratën e fundit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Në një intervistë për KDP-në, Thaçi thotë se presidenti i Kosovës është keqkuptuar.

Marketing

Sipas Menduh Thaçit, Presidenti i Kosovës flet për korrigjim kufijsh, për të marrë atë që Kosovës i është lënë jashtë kufijve me pa të drejtë e në këtë finale të madhe, duhet mbështetur nga të gjithë.

Kreu i PDSH-së përkujton se në Preshevë, të drejtat e shqiptarëve shkelen në mënyrë institucionale, prandaj Presidenti Thaçi këmbëngul në këtë ide, duke përkujtuar vazhdimisht të drejtat që serbët gëzojnë në Kosovë.
“Kam një apel për të gjitha institucionet, për forcat politike në Kosovë, Shqipëri e këtu, që ta mbështesin presidentin e Kosovës në këtë finale të lojës.

Këtu s’ka më kthim mbrapa. Kjo është finalja dhe ne duhet të jemi shumë të përgatitur e shumë të bashkuar në një qëndrim drejt Serbisë. Serbët vijnë ta marrin tokën, qendrën e qytetit apo të fshatit, vijnë ta marrin udhën e mëhallës, hyjnë ta marrin krejt oborrin e shtëpisë, gjysmën e shtëpisë e thonë hajde bëjmë dialog tash. Ti i thua për çfarë të bëjmë dialog. E ai ta kthen: ta lë unë një dhomë në shtëpinë tënde e dhjetë metra në oborrin tënd.

Serbia ka marrë tokë prej shqiptarëve. Presidenti i Kosovës e përdor simbolikën me Luginën e Preshevës duke iu thënë se atë tokë ju e keni okupuar nga ne dhe se ne nuk e pranojmë filmin e vjetër që të negociojmë brenda oborrit tonë” – tha Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.

Menduh Thaçi përkujton se riciklimi i shprehjes “Hapja e kutisë së Pandorës”, që po dëgjohesh shpesh këto kohë, bëhet edhe për shkak të Maqedonisë.

“Pse ndalet çështja e ridefinimit të kufijve? Për shkak të Maqedonisë. Unë mendoj se marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë në tërësi do t’i relaksojë raportet serbo-shqiptare dhe me automatizëm edhe raportet maqedonaso-shqiptare. Kjo është një çështje jashtëzakonisht shumë e rëndësishme” – tha Thaçi.

Kreu i PDSH-së thotë se aktualisht Hashim Thaci përmes kësaj taktikë e fuqishme, po bën parapërgatitje për negociata të rënda dhe të vështira prandaj I duhet mbështetje e jo keqpërdorime të deklaratave të caktuara nga personalitete brenda e jashtë Kosovës.

Marketing