Merkel për COVID-19: Situata do të përkeqësohet në dimër

Europa vijon të luftojë kundër COVID-19, ndërsa shumë shtete kanë vendosur kufizime strikte kundër përhapjes së pandemisë.

Marketing

Lidhur me situatën e krijuar në shtetet evropiane ka folur kancelarja gjermane, Angela Merkel. Ajo paralajmëroi se situata do të përkeqësohet tej mase në muajt e ardhshëm me ardhjen e dimrit.

“Disa gjëra do të jenë më të vështira në muajt e ardhshëm se sa ishin në verë. Ne kemi shijuar liritë dhe mbrojtjen relative nga aerosolët në verë, gjë e cila ishte e mundur përmes jetës më të hapur”, tha kancelarja gjermane.

Ndërkohë,  qeveria federale e Berlinit vendosi kufizime për organizimet publike dhe caktoi një gjobë prej 50 eurosh për qytetarët që nuk respektojnë vendosjen e maskës mbrojtëse ku është e detyrueshme.

Ndërkaq edhe Franca nisi me zbatimin e masave të reja kufizuese. Në Paris hyri në fuqi udhëzimi për mbajtjen e maskës mbrojtëse, masë e cila u respektua nga kryeqytetasit. Franca raportoi së fundmi numrin më të lartë të rasteve të reja me koronavirus që prej heqjes së izolimit.

Shqetësim në rritje edhe në Itali. Çdo rajon i këtij shteti raportoi raste me Covid-19 në ditën e fundit, ndërsa shëndetësia bëri me dije se mosha mesatare e të infektuarve është 29 vjeç. Qeveria italiane u bëri thirrje banorëve që të respektojnë masat në fuqi dhe udhëzimet higjieno-sanitare për të shmangur ashpërsimin e masave.