Kancelarja gjermane Angela Merkel sot qëndron për vizitë në Maqedoni edhe atë në momentin kur shënohet 27-vjetori i Pavarësisë. Kjo është vizita e parë e një kancelari gjerman në Maqedoni dhe qëndrimi i saj në vend është pjesë e mbështetjes, që bashkësia ndërkombëtare e jep për referendumin e ardhshëm, të caktuar për më 30 shtator, kur qytetarët duhet të deklarohen për Marrëveshjen e Prespës dhe integrimin në NATO dhe BE.

Merkel e kryeson delegacionin qeveritar gjerman për vizitë zyrtare në vend i cili sot do të ketë pritje solemne në pllajën para Qeverisë së RM-së. Pas takimit të përbashkët kryeministri Zoran Zaev dhe kancelarja gjermane do të kenë pres konferencë të përbashkët.

Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Shtefan Zajbert paralajmëroi se Merkel vjen në Shkup që prej së afërmi të fitojë përshtypjen për referendumin e ardhshëm.
Ai shtoi se në fokus të takimit të dy kryeministrave do të jenë “ngjarjet rajonale dhe temat bilaterale” dhe se Merkel “gjithsesi dëshiron vetë në vendngjarje të formojë përshtypjen në vigjilje të referendumit për çështjen e emrit të vendit, që do të mbahet në fund të muajit”.

Java e kaluar ishte me aktivitete intensive diplomatike. Në vigjilje të referendumit për vizitë në Maqedoni ishin Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ministri i Punëve të Jashtme i Luksemburgt Zhan Aselbron, kancelari austriak Sebastian Kurc.

Senatori amerikan dhe kryesues i Komisionit për Siguri shtetërore Ron Xhonson javën e ardhshme vjen në Maqedoni ndërsa do t’i vizitojë edhe Greqinë, Serbinë dhe Kosovën.