Dozat e para të vaksinave për koronavirusin e ri (COVID-19) mund të jenë në dispozicion në Gjermani përpara Krishtlindjeve, tha kancelarja Angela Merkel, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në parlament për planin e qeverisë së saj për të luftuar koronavirusin, Merkel shprehu shpresën se zhvillimi i vaksinave mund të lehtësojë tendosjen në sistemin shëndetësor të vendit dhe t’i lejojë ata të zbusin kufizimet për frenimin e virusit në të ardhmen e afërt.

“Shpresojmë që autorizimet për vaksinat të jepen relativisht shpejt. Kjo nuk do ta zgjidhë problemin menjëherë, por do të thotë që shihet dritë në fund të tunelit”, tha ajo.

Merkel tha se vaksinat e para në Gjermani mund të fillojnë që në muajin e ardhshëm, por një program gjithëpërfshirës i vaksinimit për koronavirusin mund të fillojë në fillim të vitit të ardhshëm.

“Është e mundur që dozat e para të vaksinës mund të na arrijnë përpara Krishtlindjeve. Ne kemi rënë dakord që punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe kujdestarët duhet të jenë të parët që i marrin ato”, tha kancelarja gjermane.

“Duke pasur parasysh rrezikun me të cilin përballen këta njerëz, kjo është gjëja e duhur për të bërë”, shtoi ajo.

Ndryshe, qeveria e koalicionit të Merkelit vendosi të mërkurën të zgjasë masat e “bllokimit të pjesshëm” deri më 20 dhjetor, pas rritjes së vazhdueshme të rasteve të reja.