Askush nuk i kërcënon qytetarët e Maqedonisë me izolim. Ata munden dhe vetë duhet të vendosin për të ardhmen e shtetit. E ardhmja mund të jetë anëtarësimi në NATO dhe në BE, nëse keni sukses në referendumin e 30 shtatorit.

Por, gjithsesi, duhet të thuhet se ka edhe parakushte të caktuara të cilat duhet plotësuar. Këtë në konferencën e sotme për shtyp në Qeverinë e RM-së e porositi kancelarja Angela Merkel, e cila ndodhet për vizitën e parë zyrtare në Maqedoni.

“Ekzistoi një kontest midis vendit tuaj dhe Greqisë dhe duhej të gjendej zgjidhje. Prandaj çështja e emrit dhe çështja për anëtarësim lidhen bashkë. Kjo është çështje e cila nuk lidhet me Qeverinë por me atë se të gjitha vendet anëtare duhet të pajtohen me të.

Njerëzit më 30 shtator kanë mundësi njëjtë siç vepruan para 27 vitesh, të votojnë nëse duan t’i takojnë familjes së BE-së dhe NATO-s, ndërsa kjo njëherësh kërkon edhe pranimin e Marrëveshjes me Greqinë”, tha Merkel në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev.

Ajo doli me mesazh të qartë politik – mos qëndroni në shtëpi më 30 shtator, në këtë datë historike. Shfrytëzoni shansin dhe thoni se çfarë të ardhme dëshironi të keni.

Kryeministri Zaev i shprehu mirëseardhje Merkelit, si kancelarja e parë gjermane që vjen në Maqedoni edhe atë për një ditë të madhe si kjo sot, në Ditën e Pavarësisë. Më pas, ai e falënderoi për mbështetjen e hapur që Gjermania si një prej mbështetësve më të mëdhenj të integrimit tonë euroatlantik e jep në marrëdhëniet e veta bilaterale dhe multilaterale.

Mbështetjen të cilën e marrim është e madhe dhe miqësore në angazhimet tona për të ndërtuar një shoqëri prosperuese. Mu për këtë, jemi të inkurajuar ta bëjmë hapin historik, tha Zaev, duke shtuar se para Maqedonisë, megjithatë, mbetet “puna e brendshme”, ndërsa ajo është përshpejtimi i reformave.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve Merkel tha se sot nuk do të takohet me presidentin Ivanov, por se do të ketë takim me liderin e opozitës, të cilit do t’ia bart mesazhet e tij të cilat ia ka dhënë edhe kryeministrit Zaev.