Merko: Sektori joqeveritar në Strugë e mbështet referendumin e 30 shtatorit

Kryetari i komunës së Strugës Ramiz Merko sot kishte takim me përfaqësues të sektorit joqeveritar në të cilin diskutuan për referendumin e ardhshëm që do të mbahet më 30 shtator dhe për përfitimet nga anëtarësimi i Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Marketing

Në takim morën pjesë përfaqësues nga të gjitha bashkësitë etnike, të cilët sipas kryetarit të komunës, kishin dhënë mbështetje për çështjen e referendumit.

“Sektori joqeveritar në Strugë e mbështet referendumin që do të mbahet më 30 shtator. Shkëmbyem mendime dhe qëndrime dhe të gjithë ishin të një mendimi për mbajtjen e referendumit dhe rezultatit pozitiv që del nga ai”, deklaroi Merko.
Integrimi euroatlantik, shtoi ai, është i rëndësishëm për të ardhmen dhe prosperitetin tonë.

“Me anëtarësimin në NATO dhe BE vetëqeverisja lokale do të fitojë në investime dhe zhvillim. Do të fitojnë studentët, do t’i mbajmë të rinjtë, do të ketë më shumë investime dhe do të hapim vende të reja të punës”, tha Merko.

Ai iu bëri thirrje struganëve të cilët ende kanë hamendje për daljen në referendum, që të dalin më 30 shtator dhe ta japin mbështetjen e tyre, për siç tha, Maqedoninë evropiane.

Marketing