Merr fund Sekretariati për Marrëveshjen e Ohrit

Një grup deputetësh nga shumica parlamentare në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut kanë propozuar ndryshime në Ligjin për organizimin dhe punën e organeve të shteti dhe Ligjit për Qeverinë. Me ndryshimet e propozuara parashihet që të formohet ministri e re për Sistem politik dhe marrëdhënie midis bashkësive, shkruan gazeta KOHA.

Marketing

“Për shkak të funksionimit të shtetit në pjesën që lidhet me sistemin politik, zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe principet që dalin nga kjo marrëveshje, si dhe avancimi dhe mbrojtja e të drejtave të pjesëtarëve të etnive në Republikën e Maqedonisë së Veriut, është paraqitur nevoja e themelimit të ministrisë së re për Sistem politik dhe marrëdhënie midis bashkësive”, thuhet në sqarimin e propozim ndryshimeve ligjore.

Përveç ndryshimeve të propozuara, në Ligjin për organizimin dhe punën e organeve të shtetit, deputetët kanë propozuar dhe ndryshime në Ligjin për Qeverinë. Qëllimi i këtyre propozim ndryshimeve është të bëhet harmonizim me Ligjin për organizimin e punës së organeve të shtetit, me të cilin parashikohet që të formohet Ministri e re për Sistem politik dhe marrëdhënie midis bashkësive etnike.

Në dy propozim-tekstet propozohet që të pushojë së ekzistuari Sekretariati për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Ndryshe, iniciativa për ndryshimin e sistemit të punës së SIMO-s kanë ekzistuar që në vitin 2008, megjithëse asnjë vendim konkret nuk ishte ndërmarrë deri tani. Në këtë sekretarit, kreu i të cilit ka pasur rolin e zëvendëskryeministrit, janë të punësuar kryesisht shqiptarë, ndërsa detyrë kryesore ka pasur rritjen e përfaqësimit të drejtë në institucione shtetërore.

Edhe tani, siç thuhet në propozim-ligj, detyrë primare do të ketë menaxhimin dhe mbikëqyrjen e përfaqësimit të drejtë.
Zëvendëskryeministër në SIMO aktualisht është Hazbi Lika, ndërsa ka dhe qindra administratorë shqiptarë që presin vendet e punës, megjithëse me vite të tëra qëndrojnë në shtëpi, ndërsa marrin pagë nga shteti.